Këtë të premte, më 10 prill, u zhvillua mbledhja e radhës e kabinetit qeveritar. Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj doli në një konferencë për mediat, ku foli me gazetarët mbi vendimet e marra në këtë mbledhje, mes të cilave miratimi i projektligjit që përjashton nga tatimet, të ardhurat e gjeneruara jashtë Shqipërisë nga rezidentët në vend.

“Parashikon që të gjitha ata që rezidentë tatimorë në Shqipëri, që gjerojnë të ardhura në vende të tjera të botës, këto të ardhura, janë të përjashtuara nga tatimi në vend. Ky është një ndryshim që shkon në linjë me tërheqjen e atyre pensionistëve që kanë dalë në pension në vende të tjera dhe kthehen në Shqipëri.”, u shpreh ministrja.

Më tej, ajo bëri me dije se ka një përjashtim tatimor për kategorinë e të verbërve.

“Ne kemi bërë një rregullim ligjor që parashikon që për të gjithë ata persona të verbër, do të vijojmë të kemi një përjashtim tatimor dhe do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale që legjislacioni ynë ka.”, tha Ibrahimaj, ndërsa fliste përsa i përket ndikimit të luftës që po zhvillohet në Lindjen e Mesme në vendin tonë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj duke folur për pasojat e luftës, deklaroi se përpos çmimit të karburanteve janë prekur vetëm perimet.

“Produktet e shportës janë mbi 80 dhe asnjë nga produktet e tjera të shportës nuk ka patur rritje për shkak të luftës. Inflacioni në muajin mars shënoi nivelin 2.6 % që është një nivel i kontrollueshëm.”, deklaroi Ibrahimaj. Ajo shtoi se në rast se do të vazhdojë të ketë një rritje të mëtejshme, “do të ndërhyjmë me një akt që parashikon subvensionim për rritjen e çmimeve për kategoritë në nevojë”.

Më tej ministrja theksoi se: “Pasojat e luftës do të kenë ndikim minimal në ekonominë shqiptare dhe më konkretisht në shtresat që nuk mund të përballojnë më rritje të çmimeve.”

/tvklan.al