Ministri për Pushtetin Vendor Ervin Demo foli në një konferencë për mediat sa i takon vendimeve të marra këtë të premte, më 10 prill, në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

“Së pari sot do doja t’ju njoftoja mbi finalizimin e një lajmi shumë të mirë për të gjitha bashkitë në vend. Granti prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara tanimë është formësuar dhe shumë shpejt një logjistikë e plotë me mjete, të cilat janë të domosdoshme për bashkitë, për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike por edhe në të njëjtën kohë për të përmirësuar infrastrukturën rurale.”, tha Demo.

Ministri theksoi mes të tjerave programin kombëtar të parkimeve.

“Është një program i cili do të prekë sidomos zonat urbane. Dhe është një program që do të evidentojë të gjitha kapacitetet që janë në territor për ndërtimin e parkimeve të reja. Këto mund të bëhen edhe në bashkëpunim me sektorin privat.”, tha Demo duke theksuar se ky program do të rrisë funksionalitetin e qyteteve dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Më tej ai vazhdoi të fliste për Paketën e Maleve ku zbuloi se sot kanë “kaluar edhe katër bashki të tjera sa i takon zonave prioritare”.

Sipas Demos, “Paketa e Maleve vijon të jetë në fokus” të qeverisë.

Ditët në vijim përfundon dhe afati që bashkitë kanë dhe ministri për Pushtetin Vendor paralajmëroi se gjatë ditëve të ardhshme “Ju do të shikoni që bashki të ndryshme do miratojnë aplikimet e para” dhe kjo sipas tij, “do ketë efekt ortek sepse bashkitë do të ndjekin njëra-tjetrën”.

/tvklan.al