Pas rreth 2 muajve e gjysmë, Gjykata Kushtetuese u shpreh sot, 6 shkurt, për kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas mbledhjes që nisi që prej orës 11:00, është vendosur që të rrëzohet padia e qeverisë, pasi gjyqtarët kanë votuar 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm. Kështu, është rikthyer masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, e cila ishte hequr më 12 dhjetor 2025, po me verdikt të kësaj gjykate.

Siç raportoi edhe gazetarja e Klan News, Glidona Daci, Kushtetuesja vlerësoi njëzëri se edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore kur e shkelin atë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

“Gjykata thekson se sipas Kushtetutës, sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës, ligjit më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja e balancimi ndërmjet pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje. Sipas njërit qëndrim, Gjykata është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit”, thuhet në njoftimin zyrtar, pas 11 orësh shqyrtim nga togat e zeza.

“Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit.

Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj.

Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues“, argumentohet vendimi i marrë, i cili është i paankimueshëm.

Përbërja e Kushtetueses:

Fiona Papajorgji (kryetare)

Marsida Xhaferllari (anëtare)

Sonila Bejtja (anëtare)

Sandër Beci (anëtar)

Ilir Toska (anëtar)

Gent Ibrahmi (anëtar)

Marjana Semini (anëtare)

Asim Vokshi (anëtar)


Nga sa më sipër, Vokshi, Xhaferllari, Toska dhe Beci kanë votuar kundër kërkesës së qeverisë. Pjesa tjetër, kanë dhënë votën e tyre pro.

A pritet lëvizje nga ana e Apelit të Posaçëm?

“Gjyqtarja Miliana Muça në vendimmarrjen e saj, la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për zonjën Balluku, por nuk u shpreh për pezullimin nga detyra duke pritur interpretimin kushtetues. Për masën e ndalimit të daljes jashtë vendit, Balluku ka bërë rekurs në Gjykatë të Lartë, por pezullimi i ushtrimit të funksioneve të saj ka ngecur në Gjykatën e Posaçme të Apelit”, sqaroi gazetarja Daci.

A mund të bëjë qeveria padi të re për çështjen Balluku? 

“Padi në vijim mund të bëjë vetëm zonja Belinda Balluku si individ te Kushtetuesja. Ajo ka të drejtë që të kërkojë interpretimin të masës së sigurimit të pezullimit nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë vendit. Kjo, pasi GJK është hallka e fundit e gjyqësorit, e cila shikon nëse janë zbatuar apo jo me përpikmëri të gjitha legjislacionet që ne kemi në fuqi, kodin e procedurës penale, Kodin Penal, nëse masa e sigurimit është proporcionale apo jo, ka cenim të të drejtave të njeriut, ka apo jo cenim të imunitetit apo nuk cenim të imunitetit.

Pra, pasi të kalojë vendimi në Gjykatën e Lartë, do të jetë GJL e cila do të bëjë filtrin e fundit të kontrollit gjyqësor, e fundit në hierarki, ku vendimet e saj janë të pakundërshtueshme, është Gjykata Kushtetuese, ku zonja Balluku ka të drejtë të sjellë padi si individ e ta vendosë këtë të fundit në lëvizje për të parë nëse masat e sigurimit të caktuara ndaj saj janë apo jo proporcionale, nëse kanë gabuar apo jo dy gjykatat e faktit”, deklaroi gazetarja…(Lexo më shumë)

Kujtojmë se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut u mor me kërkesë të SPAK, pasi ajo u mor zyrtarisht e pandehur për dyshime mbi shkelje ligjore në procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë si një tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.

Pikërisht mbi këtë argument, kreu i qeverisë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar zgjidhjen e konfliktit institucional të krijuar mes Kryeministrisë dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.

Seanca dëgjimore ku morën pjesë të gjitha palët u zhvillua më 22 janar 2026.

Ndërkohë, SPAK ka ndërmarrë një tjetër hap procedural, duke i dërguar Kuvendit (më 16 dhjetor 2025) një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut. Prokuroria e Posaçme synon të marrë autorizimin e nevojshëm për vendosjen e një mase sigurie më të rëndë ndaj saj…(Lexo më shumë)

Pavarësisht se fillimisht u caktua data 19 dhjetor e vitit të shkuar për mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, mazhoranca socialiste vendosi ta shtyjë duke argumentuar se duhet pritur fillimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, opozita e ka kundërshtuar vazhdimisht këtë qëndrim, duke theksuar se kërkesa e SPAK për masë sigurie nuk lidhet me pezullimin nga detyra dhe se vonesa e mazhorancës nuk ka bazë ligjore...(Lexo më shumë)

Tanimë, radhën e ka pikërisht ky Këshill, ndërsa duhet theksuar se më 16 mars skadon afati për Kuvendin. Nëse deri atë ditë nuk ka një vendim nga salla e Parlamentit për çështjen, rrëzohet automatikisht kërkesa e SPAK.

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje të dyshuara në tenderin me vlerë 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë, ndërsa paralelisht po hetohet edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe.

Sipas SPAK, qëndrimi i saj në detyrë përbën rrezik për hetimin, pasi mund të ndikojë në prishjen e provave ose në ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve.