Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kreu ynë i qeverisë, Edi Rama, kanë mbajtur deklaratë për shtyp pas takimit ndërqeveritar mes dy vendeve dhe nënshkrimit së 16 marrëveshjeve.

Meloni, u shpreh fillimisht se është mjaft e kënaqur për këtë takim të zhvilluar me Ramën dhe ministrat shqiptarë, duke cilësuar se kjo mbledhje tregon se marrëdhëniet Shqipëri-Itali i kanë rrënjet shumë të thella.

“Jam me të vërtetë shumë, shumë e kënaqur. Në radhë të parë, jam e kënaqur që mirëpres në Romë mikun tim, kryeministrin Edi Rama, ministrat e tij të shumtë në numër. Një ditë që për marrëdhëniet tona mund të quhet historike. Jo vetëm për faktin se është hera e parë që qeveritë tona takohen në një format të këtij lloj, por edhe për atë që ju sapo ishit dëshmitarë, pra për sasinë dhe cilësinë e marrëveshjeve dypalëshe, teknike, dhe qeveritare të cilat u nënshkruan. Është e qartë. Ne e dimë që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë janë marrëdhënie le ta themi, I kanë rrënjet shumë thellë. Kanë qenë gjithnjë marrëdhënie të tilla, konstante, të vazhduara që shkojnë përtej interesave reciprokë. Ne, le të themi që kemi qenë paksa të mallëngjyer nga kalimi i asamblesë sonë plenare, me të paktën 20 ministra të cilët morën fjalën të gjithë duke folur në italisht dhe pa pasur praninë e përkthimit. Mendoni se sa tregon kjo gjë, se sa Italia ka qenë dhe është një pikë referimi për Shqipërinë. Ajo se çfarë ne duam të bëjmë me këtë ditë është që këtë marrëdhënie të jashtëzakonshme mes kombeve tona, ta shndërrojmë në një thesar për ta fuqizuar edhe më shumë këtë marrëdhënie”, tha Meloni.

Më tej, Meloni dha lajmin se me kryeministrin Rama, do të krijojnë një forum të përbashkët për sipërmarrjen.

“Është e qartë që Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë. Janë mbi 3 mijë kompani italiane që punojnë në Shqipëri dhe ideja jonë, qëllimi ynë është që t’i japim më shumë thellësi, duke i vendosur marrëdhëniet tona në një plan më të thellë.

Me kryeministrin Rama, që tani kemi caktuar kemi lënë një tjetër takim, atë të vendosjes dhe krijimit të një forumi ku do të përfaqësohen shoqëri, ndërmarrje, që përfaqësojnë sistemin prodhues brenda gjashtë muajve të parë nga sot.

Kemi përcaktuar drejtimet ku do të vijojë bashkëpunimi ynë, në sektorë si energjia, transporti, duke u përqendruar sidomos në veçanti tek Korridori VIII. Ajo rrugë e cila vjen nag Puglia në Shqipëri, e duke vazhduar më tej drejt Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sigurisht përafrimi i brigjeve të Adriatikut dhe shndërrimi i Adriatik në një korridor strategjik, vë në dispozicion të të gjithëve infrastruktura ekonomike, logjistike, energjitike, që janë të pranishme në jugun e Italisë dhe bëjnë që jugu i Italisë të jetë një hap shumë i rëndësishëm për këtë zonë”, tha Meloni.

Homologia e Ramës u ndal dhe tek marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, duke shprehur falenderimet e saj, e duke e cilësuar si një protokoll novator që ka ngjallur interesin e shumë vendeve të tjera për ta aplikuar si procedurë.

“Edhe një herë, do doja të falenderoja kryeministrin dhe qeverinë e tij, por dhe gjithë popullin shqiptar, pasi ajo që u tregua nga akti i nënshkrimit të këtij protokolli, është fakti që Shqipëria sillet si një vend anëtar i BE. Vetëm me solidaritetin ndaj vendeve me të cilët bashkëpunon mund të shihet. Unë kam gjykuar dhe vazdoj të gjykoj që protokolli që kemi nënshkruar, është një marrëveshje me frymë të thellë evropiane sepse vë theksin se fenomeni migrator është një fenomen mbarë evropian dhe vetëm falë bashkëpunimit ndër shtetet anëtarë të BE, por dhe mes vendeve të tjera jashtë BE, një protokoll novator, që ka ngjallur interesin dhe shumë vendeve të tjerë, siç dihet. Sigurisht, jo të gjithë arritën të kuptonin vlefshmërinë e këtij modeli. Shumë ishin ata që punuan fort për ta frenuar, apo bllokuar, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë përpara”, tha ajo.

Po kështu, Meloni u shpreh se dëshiron që së bashku me Shqipërinë, të happen negociatat politike në vitin 2028, kur dhe Italia të ketë kryesinë e Bashkimit Evropian.

“Pas pak ditësh do të hapet grup kapitulli i fundit për negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një kapitull teknik, sigurisht kjo është shumë e rëndësishme. Dua të them, se do të ishte një arsye shumë e rëndësishme se do të ishim shumë të kënaqur që mund t’i hapim negociatat politike pikërisht me rastin e marrjes së kryesisë nga ana e Italisë të BE, që siç e dini do të ndodhë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2028. Do të ishte si të thuash diçka kaq e natyrshme, për gjithë sa kemi bërë së bashku për gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Meloni.

/tvklan.al