Në konferencën e përbashkët për shtyp me Giorgia Melonin, pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive të mbajtur këtë të enjte në Itali, më 13 nëntor, kryeministri Edi Rama e cilësoi ditën e sotme si historike.
“Sot për ne është një ditë absolutisht historike. Sa herë që unë shkoj në NATO dëgjoj të flitet për një ditë historike, por historike është kjo këtu sot sepse për herë të parë qeveria shqiptare ulet me qeverinë italiane për të folur për projekte të përbashkëta dhe për të folur për një të ardhme të përbashkët, por përveçse të flas edhe për të bërë një bilanc të gjërave që janë bërë dhe për të firmosur marrëveshje konkrete, projekte konkrete”.
Rama u ndal gjatë tek marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara nga të dyja palët këtë të enjte. Ai veçoi dy prej tyre, atë për energjinë dhe kulturën.
“Mund të them që gjithë çfarë tha pak më parë presidentja Meloni shkon në drejtimin e asaj që është thellimi i kësaj marrëdhënieje dhe është njëherësh drejtimi i thelbit të kësaj lidhjeje të veçantë, të këtij partneriteti strategjik që më në fund shoqërohet nga kantiere të mëdha. Energjia, kemi një nga projektet më të mëdha në Europë për energjinë i cili po ecën përpara, për të kontribuuar ndaj sovranitetit energjetik të Europës, përmes linjës së interkoneksionit mes Shqipërisë dhe Italisë, me pjesëmarrjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, por jemi tashmë duke punuar për një tjetër projekt të madh i cili do të lidhë Lindjen me Perëndimin dhe që do të përfshinte në të shtete si Rumania, Bullgaria, Greqia, Italia dhe Shqipëria dhe që është i një rëndësie të madhe strategjike. Pastaj kemi dhe kulturën. Më në fund pas kaq shumë vitesh kemi një marrëveshje konkrete për të bërë bashkë një strukturë me rëndësi shumë të madhe europiane siç është MAXXI i Romës së bashku me Galerinë tonë Kombëtare. I dashur ministër, shpresoj që muzeu i artit italian në Shqipëri do të jetë një tjetër fakt konkret dhe shpresoj që të jeni pikërisht ju ai qe do të hapni dyert e këtij muzeu”.
Kryeministri u ndal edhe tek aspiratat e Shqipërisë për të mbyllur negociatat me BE në 2028-n.
“Do të ishte me te vërtetë qershia mbi tortë nëse në vitin 2028, vit në të cilin Italia do të marrë kryesinë e Këshillit Europian dhe kur Giorgia do të mbajë rolin e dyfishtë atë të kryeministrit të Italisë dhe atë presidentit të Këshillit Europian, po qeshni, por koha do të kalojë dhe do ta shihni që unë kam gjithmonë të drejtë. Dhe kështu pasi të kemi përfunduar negociatat teknike, në fund të 2028-ës do të mund të nisim punën për negociatat politike. Nëse duke nisur punën për këto negociata përgjegjësia do të jetë e Giorgias, do të thotë për ne që do të jemi në duart më të mira të mundshme që të mund të hapim atë derë e cila qëndron e mbyllur prej nesh prej qindra vitesh”.
Nga ana e saj, kryeministrja italiane tha se Italia do të bëjë gjithçka për Shqipërinë nëse procesi teknik i negociatave do të ketë përfunduar, në momentin që ky vend do të marrë kryesinë e Këshillit Europian.
Në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes dy vendeve të mbajtur në Romë, Shqipëria dhe Italia forcuan edhe më tej partneritetin në fusha të rëndësishme, me shkëmbimin e një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi. Marrëveshjet mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike, si mbrojtja, energjia, kulturë etj.
/tvklan.al












Botërori 2026 