E FUNDIT: SHBA-të dhe Irani kanë nënshkruar këtë të mërkurë, 17 qershor, në formë elektronike Memorandumin e Mirëkuptimit (MOU) për t’i dhënë fund luftës dhe marrëveshja ka hyrë tashmë në fuqi, konfirmojnë dy zyrtarë amerikanë.
Lajmin e bujshëm e bën të ditur gazetari i njohur izraelit, Barak Ravid, përmes një postimi në X, si më poshtë:
🚨BREAKING: U.S. and Iran have signed the MOU for ending the war electronically on Wednesday and it is now in effect, two U.S. officials told me https://t.co/eP9cskb9Nr
— Barak Ravid (@BarakRavid) June 17, 2026
Pak më herët u bënë publike 14 pikat e kësaj marrëveshjeje.
Bazuar te pikat kyçe, parashikohet që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore, të rikthehet lundrimi normal në Ngushticën e Hormuzit pa tarifa për të paktën 60 ditë, të hiqen sanksionet amerikane dhe të marrin fund armiqësitë, përfshirë ato në Liban.
Detajet u bënë të ditura ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ndodhej në samitin e G7 në Francë. Ai paralajmëroi se SHBA-të do të godasin rëndë Iranin nëse nuk respektohen kushtet e marrëveshjes.

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit iranian dhe një nga negociatorët kryesorë të marrëveshjes, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se Teherani vazhdon të mos i besojë SHBA-ve, duke theksuar se Irani mbetet i gatshëm të reagojë nëse marrëveshja shkelet.
Megjithatë, marrëveshja nuk i zgjidh ende të gjitha çështjet që lidhen me programin bërthamor iranian, pasi këto pritet të diskutohen në negociatat përfundimtare.
Para një darke shtetërore me presidentin francez Emmanuel Macron në Versajë, Trump tha se afati 60-ditor i negociatave nuk duhet parë si një kufi i pandryshueshëm për Iranin.
Tre pika që bien në sy nga marrëveshja
Së pari, çështja bërthamore. Zyrtarët e lartë thonë se Irani ka premtuar të mos zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore, një nga kushtet kryesore të vendosura nga Donald Trump që në fillim të luftës. Po ashtu, uraniumi i pasuruar iranian do të “hollohet” në vend, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Së dyti, hapja e ngushticës së Hormuzit. Sipas zyrtarëve amerikanë, anijet do të mund të kalojnë pa tarifa për 60 ditë. Pas kësaj periudhe, Irani dhe vendet fqinje do të negociojnë rregullat e reja, duke lënë të hapur mundësinë e vendosjes së tarifave në të ardhmen.

Së treti, fondi i rindërtimit prej 300 miliardë dollarësh. Edhe pse Trump e kishte cilësuar më herët si “lajm të rremë”, fondi përfshihet në dokumentin e marrëveshjes. Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se SHBA-të nuk do të paguajnë asnjë qindarkë dhe se zbatimi i tij do të varet nga sjellja e Iranit.
Marrëveshja pritet të analizohet me kujdes pikë për pikë në ditët në vijim. Pyetja kryesore që mbetet është: çfarë përfituan realisht SHBA-të nga lufta me Iranin?












Botërori 2026 
