Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Pekin për një samit të rëndësishëm me presidentin kinez Xi Jinping, në një moment kur marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë të tensionuara për shkak të tregtisë, teknologjisë, çështjen e Tajvanit dhe luftës që përfshin Iranin.

Takimi dyditor pritet të zhvillohet të enjten dhe të premten në Pekin dhe konsiderohet si një nga samitet më të rëndësishme të viteve të fundit mes SHBA-ve dhe Kinës. Kjo është vizita e parë e Trump në Kinë që nga viti 2017 dhe vjen pas javësh përpjekjesh amerikane për të bindur Pekinin të ndihmojë në rikthimin e Iranit në negociata dhe në uljen e tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.

Para nisjes për në Pekin, Trump deklaroi se do të zhvillojë një “bisedë të gjatë” me Xi Jinping për Iranin, por theksoi se tregtia do të mbetet fokusi kryesor i samitit.

Analistët thonë se SHBA-të dhe Kina po hyjnë në samit me prioritete të ndryshme. Trump synon të arrijë fitore ekonomike që mund t’i përdorë politikisht përpara zgjedhjeve të ardhshme në SHBA. Uashingtoni kërkon që Kina të rrisë blerjet e produkteve amerikane, përfshirë avionët Boeing, mishin e viçit dhe sojën, si dhe të zbusë kufizimet ndaj kompanive amerikane.

Nga ana tjetër, Pekini kërkon lehtësimin e kufizimeve amerikane mbi eksportin e teknologjisë së avancuar dhe gjysmëpërçuesve, të cilët konsiderohen jetikë për zhvillimin teknologjik dhe ushtarak të Kinës.

Një nga temat më të ndjeshme të samitit pritet të jetë edhe Tajvani. Kina e konsideron ishullin pjesë të territorit të saj dhe ka shtuar presionin ushtarak në rajon gjatë viteve të fundit. Ndërkohë, SHBA-të vazhdon të mbështesë Tajvanin ushtarakisht, gjë që zemëron Pekinin.

Ekspertët paralajmërojnë se çdo deklaratë publike e Trump pas takimit mund të ketë pasoja të mëdha për stabilitetin në rajon, sidomos në lidhje me shitjen e armëve amerikane për Tajvanin dhe mbështetjen politike ndaj Taipeit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimeve do të jetë lufta në Iran dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane dhe SHBA pritet të kërkojë nga Pekini të përdorë ndikimin e tij ndaj Teheranit për të ulur tensionet.

Samiti do të trajtojë gjithashtu përplasjen ekonomike mes dy vendeve për tarifat tregtare. Gjatë vitit të kaluar, SHBA-të vendosi tarifa të reja ndaj mallrave kineze, ndërsa Kina reagoi me masa të ngjashme. Në kulmin e krizës, tarifat për disa produkte kaluan mbi 100 për qind, duke tronditur tregjet globale dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

Megjithatë, të dyja palët arritën më vonë një armëpushim të përkohshëm tregtar, ku Kina pranoi të blejë më shumë produkte bujqësore amerikane dhe Uashingtoni të ulë një pjesë të tarifave.

Sipas analistëve ndërkombëtarë, një rezultat i suksesshëm për Trump do të ishte një marrëveshje e dukshme ekonomike që mund të paraqitet si fitore politike në SHBA. Për Xi Jinping, suksesi do të nënkuptonte ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe shmangien e përshtypjes se Kina po i nënshtrohet presionit amerikan.

Megjithatë, ekspertët besojnë se një marrëveshje e madhe dhe gjithëpërfshirëse mbetet e vështirë, pasi rivaliteti strategjik mes SHBA-ve dhe Kinës vazhdon të thellohet.

/tvklan.al