Opozita serbe kërkon anullimin e rezultateve të zgjedhjeve

Mijëra protestues janë mbledhur në Beograd për të protestuar ndaj rezultatit te zgjedhjeve serbe te 17 Dhjetorit duke kërkuar anulimin e tyre. Grumbullimi masiv i njerëzve ndodhi disa orë pasi komisioni qëndror i zgjedhjeve refuzoi kërkesën e opozitës për përsëritjen e tyre. Protestuesit mbajnë në duar pankarta dhe flamuj të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian ndërsa thërrasin “Hajdutë, hajdutë!” 

Demonstruesit kanë ngritur çadrat në rruget kryesore të kryeqytetit serb duke bllokuar trafikun e automjeteve.

Opozita serbe po kërkon anulimin e rezultateve të zgjedhjeve duke pretenduar se partia e presidentit Vuçiç vodhi zgjedhjet. Ndër pretendimet e opozitës ishin akuzat se partia në pushtet solli serbët etnikë nga Bosnje-Hercegovina dhe ish-republika të tjera ish-jugosllave për të votuar në kryeqytet.

Vuçiç i ka mohuar akuzat e organizatave joqeveritare vendase, vëzhguesve të huaj dhe figurave të opozitës për parregullsi zgjedhore. Ai ka deklaruar se votimi u zhvillua në një atmosferë demokratike dhe ishte “më paqësore ndonjëherë në historinë moderne”.

Presidenti serb ka paralajmëruar se parlamenti i sapozgjedhur do të nisë punën në janar 2024 ndërkohë që formimi i qeverisë së re pritet në fund të Shkurtit. Këtë të shtunë u përsëriten votimet në 30 qendra zgjedhore, por opozita e bojkotoi procesin.

OSBE dhe vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë kanë denoncuar ato që ata i quajtën një seri “parregullsish” në votim. Grupet vendore joqeveritare të monitorimit të zgjedhjeve gjithashtu pretendojne për parregullsi.

Protesta në Serbi ka pasur edhe vitet e kaluara, por ato, pavarësisht numrit të madh herë pas here, kryesisht kanë dështuar. Aleksandar Vuçiç ka implikuar edhe shërbimet sekrete ruse në të gjithë ngjarjen rreth protestës. Sipas tij, shërbimet e kanë paralajmëruar kohë më parë atë se opozita po përgatit demonstrata të dhunshme. Narrativa e qeverisë është se opozita në Beograd po përgatit një lloj “Maidani” të ri dhe se do të fitojë pushtetin me dhunë.

Klan News

/tvklan.al