Pa u mbushur 6 muaj nga betimi i kabinetit qeveritar Rama 4, kreu i shtetit ka organizuar këtë të premte, në Pallatin e Brigadave, ceremoninë e betimit për 7 anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave.
Zv. Kryeministrja Albana Koçiu dhe 6 ministrat e rinj të kabinetit Rama, që morën një ditë më parë votëbesimin e Parlamentit, u betuan me dorën mbi Kushtetutë para Presidentit të Republikës.
4 nga ministrat, Ferit Hoxha te Ministria e Jashtme, Enea Karakaci te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ermal Nufi te Ministria e Mbrojtjes dhe Erjona Ismaili si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, do të ulen për herë të parë në karriget ministrore.
Ndërsa Besfort Lamallari, që nga sot lë Ministrinë e Drejtësisë, do të drejtojë Ministrinë e Brendshme në vend të Albanës Koçiu, dhe Toni Gogu, që do të zërë vendin e Lamallarit në dikasterin e Drejtësisë, e kanë tashmë një eksperiencë 5-mujore si ministra.
Zv. Kryeministrja Koçiu është ajo që ka përvojën më të gjatë nga 7 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar.
Koçiu u bë pjesë e qeverisë në mesin e mandatit të tretë të socialistëve si ministre e Shëndetësisë, post që e mbajti nga shtatori i 2023 deri në shtator të 2025, kur u zgjodh si ministre e Brendshme.
Të gjithë anëtarët e rinj janë prezantuar sot në detyrat e reja.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 