Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për disa kategori qytetarësh, masë e cila hyn në fuqi më 1 janar 2027.
Përfitues të kësaj mase do të jenë fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç, duke synuar lehtësimin e kostove për familjet dhe kategoritë që kanë më shumë nevojë për mbështetje.
Konkretisht, për fëmijët nën 16 vjeç, tarifa e pasaportës ulet nga 7,500 në 6,000 lekë. Për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 lekë, nga 1,500 lekë që është aktualisht, ndërsa pasaporta do të ulet në 6,000 lekë. Për qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit ulet nga 1,500 në 1,000 lekë.
Kreu i Ministrisë së Brendshme e cilësoi vendimin si mbajtje të një angazhimi të deklaruar më herët, gjatë një dalje publike në 2 tetor, e theksoi se lehtësimi i kostove dhe përmirësimi i shërbimeve publike duhet të ecin paralelisht.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, tha Demo.


Ai nënvizoi se ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për shërbime më të shpejta, më pak burokraci dhe më shumë kujdes ndaj qytetarëve, duke garantuar se do ta ndjekë personalisht zbatimin e këtij vendimi.
“Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin!”, u shpreh ministri.












Botërori 2026 
