Fijet që e lidhin viktimën me disa prej ngjarjeve më të rënda

Atentati i 15 shtatorit, ku mbeti i vrarë Klevis Kapllani, vijon të jetë mister. Vetë grupi hetimor ngre pikëpyetje të shumta. Bledar, apo siç njihej, Klevis Kapllani u vra nga kundërshtarët e grupit pjesë e të cilit ishte, apo kemi të bëjmë me një luftë brenda grupit të tij?

Burime konfidenciale policore, bëjnë të ditur për Klan Plus, se Kapllani ishte pikë lidhjeje e disa prej ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur këtë vit në Durrës dhe Elbasan. Ai rezulton të ketë qenë një lidhje e ngushtë e Nuredin Dumanit, personit të shpallur në kërkim për vrasjen e vëllezërve Haxhija në Durrës.

Ka qenë pikërisht Dumani që dyshohet të ketë përfshirë viktimën e 15 shtatorit në Rrogozhinë, në disa ngjarje të tjera. Konkretisht në atë të 2 marsit, ku u vranë Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdija.  Klevis Kapllani, dyshon policia, ishte personi që dogji automjetin tip benz, në zonën e Biushtit të Pallës, pak kilometra larg shtëpisë së tij në Sinaballaj.

Targat e kësaj makine rezultojnë të jenë të vjedhura përballë banesës së 33-vjeçarit.  Madje, në të njëjtin vend janë vjedhur edhe targat e vendosura në automjetin Renault, e cila u përdor nga autorët e vrasjes së Bujar Çelës në Elbasan, vëllait të Talo Çelës. Njeriut kyç që dyshohet për grabitjen e parave në Rinas, i cili kishte lidhje të ngushta me Nuredin Dumanin e Klevis Kapllanin.

Klan Plus