Opozita fajëson kryeministrin për aksidentin tragjik në Tempi

Qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis i mbijetoi një mocion mosbesimi lidhur me mënyrën sesi qeveria e trajtoi aksidentin tragjik në Tempi vitin e kaluar ku humbën jetën 57 persona.

Partitë e majta opozitare paraqitën një mocion kundër qeverisë konservatore këtë javë duke e akuzuar atë për përpjekje për të fshehur të vërtetën dhe manipulim provash. Qeveria ka mohuar akuzat dhe shumica parlamentare e partisë në pushtet Demokracia e Re arriti që të merrte votat e nevojshme, pavarësisht debateve të ashpra.

Partia Demokracia e Re e Mitsotakis, thotë se opozita po e shfrytëzon rastin për të përfituar politikisht dhe i cilësoi akuzat një fushatë gënjeshtrash dhe mashtrimi. Mocioni theksoi se sa shumë janë ende të zemëruar nga kjo fatkeqësi që zbuloi neglizhencën dhe keqmenaxhimin në sistemin hekurudhor.

Ekspertët thonë se ka shumë pak vend për të përmirësuar standardet pavarësisht përpjekjeve për reforma.

Një hetim nga një gjykatës grek për aksidentin është duke u zhvilluar dhe pritet të përfundojë në muajt në vijim. Dhjetra persona janë akuzuar deri më tani, duke përfshirë një drejtues stacioni i cili është në paraburgim në pritje të gjykimit.

Gazeta To Vima raportoi javën e kaluar se një regjistrim i një dialogu midis drejtuesit të stacionit dhe shoferit të trenit, i dalë në media disa orë pas përplasjes, dyshohet se ishte redaktuar për të fajësuar gabimin njerëzor dhe jo problemet sistematike në rrjetin hekurudhor.

Hetuesit e punësuar nga të afërmit e viktimave kanë pohuar gjithashtu se heqja e shpejtë e vagonave nga vendi i përplasjes mund të ketë shkatërruar provat. Familjarët e viktimave kanë nisur një peticion për të ndryshuar rregullat shekullore që mbrojnë politikanët nga ndjekja penale dhe deri më tani kanë mbledhur më shumë se 1.3 milionë nënshkrime.

Klan News