Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka bërë publike listën me 23 futbollistë të ftuar për dy ndeshjet e qershorit.

Përfaqësuesja Shpresa do të luajë ndeshjen e shtyrë ndaj Malit të Zi U-21, e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2025” më datë 7 Qershor në orën 20:00, në stadiumin “DG Arena” të Podgoricës.

Sfida e cila u ndërpre më datë 21 Nëntor 2023 për shkak të kushteve atmosferike do të rinisë nga minuta e 27-të. 4 ditë më pas, kuqezinjtë U-21 do të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin në stadiumin “Niko Dovana”.

13-të lojtarë vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar, kurse pjesa tjetër aktivizohen në kampionatet jashtë vendit.

Bushi tha se sfida me Malin e Zi është e vështirë, ndërsa shtoi se është i lumtur për ftesën e Simon Simonit dhe Medon Berishës në listën paraprake të Kombëtares A për Kampionatin Europian.

“Tani ne kemi 10-të pikë dhe janë edhe tre ndeshje në lojë dhe 19-të pikë unë mendoj që janë vendi i parë ose i dytë, kështu që matematikisht ne duhet të jemi deri në ndeshjen e fundit në lojë, por çdo gjë kalon nga ndeshja me Malin e Zi. Pavarësisht se kemi edhe një ndeshje në Zvicër që është një kundërshtar i forte, por dikur na ka mundur edhe Austria 0-4, por ne shkuam në Austri dhe i mundëm 1-5. Prandaj dua të them që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe lojtarët duhet ta dinë shumë mirë që nuk kemi shumë kontigjent për këtë ndeshje dhe duhet të japin të gjithë maksimumin.”

Ai foli edhe për afrimin në kombëtare të talenteve si Gruda, Hasa e Vata.

“Këta që përmend, ju mos kujtoni se nuk janë kontaktuar. Të gjithë janë kontaktuar, nuk ka lojtarë shqiptarë që nuk është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Gjithsesi është zgjedhje personale pastaj, zgjedhje me zemër që secili e bën si të dojë. Ne është luks t’i kemi në ekip ato emra që thatë ju, por është zgjedhje e tyre personale.”

Shqipëria U-21 në kualifikueset e Europianit ndodhet në Grupin E bashkë me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë, ndërsa pozicionohet në vendi të katërt me dhjetë pikë.