Këto akte gjatë protestës së të premtes para bashkisë së Tiranë kanë çuar në pranga 3 protestues.

Policia  ka arrestuar në flagranë për përdorim të lëndëve piroteknike, molotov Kevin Vidricën, 18 vjeç, dhe Bernard Metaliajn,18 vjeç. Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar Franci Kaloshi 35 vjec, banues në Lushnjë.

Ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy protestuesve të tjerë, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur molotov.

Në njoftimin për atë që ndodhi të premten, policia thotë se një grup protestuesish, në drejtimin e Flamur Nokës, Klevis Balliut, Tedi Blushit dhe të personave të tjerë kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Për këtë Klevis Balliu dhe Tedi Blushi po hetohen në gjendje të lirë bashkë edhe me 2 protestues të tjerë. Ndërsa në kërkim janë 8 protestues të tjerë.

Ekspertët e kriminalistikës mblodhën në vendin e ngjarjes të gjitha provat, mes të cilave u sekuestruan si prova materiale objekte dhe sende të hedhura nga protestuesit, të cilat u dërguan për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Policia administroi pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Hedhja e dhjetëra molotovëve rrezikoi jetën e policëve që ishin aty për të garantuar rendin dhe sigurinë e protestës.

Për aktet gjatë protestës reaguan edhe ambasadat e SHBA, BE-së, Britanisë së Madhe e  Italisë, të cilat dënuan dhunën e ushtruar.

Klan News