Teksa ekipet kombëtare që do të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026 po përgatiten me plane të detajuara për përballimin e temperaturave të larta dhe lagështisë në Amerikën e Veriut, ekspertët paralajmërojnë se tifozët mund të jenë grupi më i rrezikuar nga kushtet ekstreme të motit.

Studiues nga Universiteti i Portsmouth në Britaninë e Madhe kanë rikrijuar kushtet klimatike që pritet të mbizotërojnë në disa prej qyteteve pritëse të turneut, si Miami, për të analizuar ndikimin e nxehtësisë te njerëzit.

Eksperimenti u zhvillua në një dhomë speciale ngrohjeje, ku temperaturat arritën në 36 gradë Celsius me lagështi relative prej 75 për qind.

Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të larta mund të shkaktojë probleme që variojnë nga skuqjet dhe marramendja deri te lodhja e rëndë nga nxehtësia apo goditja nga nxehtësia, e cila në raste të caktuara mund të jetë fatale.

Për këtë arsye, tifozëve u rekomandohet të planifikojnë me kujdes ditën e ndeshjes, duke kërkuar zona me hije, duke konsumuar mjaftueshëm lëngje, duke shmangur aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta dhe duke veshur rroba të lehta e të përshtatshme për temperaturat e larta.

Nga ana tjetër, FIFA ka deklaruar se po zbaton masa për menaxhimin e rrezikut nga nxehtësia, duke përfshirë pushime të detyrueshme për hidratim, infrastrukturë ftohëse dhe gatishmëri të shtuar mjekësore në stadiume.

Paralajmërimet vijnë edhe pas raportimeve se rreth një e katërta e 104 ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 mund të zhvillohen në kushte që tejkalojnë kufijtë e sigurisë të rekomanduar nga sindikata globale e lojtarëve dhe ekspertët e klimës.

Klan News

/tvklan.al