15 shtator 2026 – Shqiptarët i kanë sytë nga Gjykata Speciale e Hagës, ku për më pak se 24 orë do të zhvillohet seanca vendimtare për lirimin ose jo të 4 ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që prej nëntorit 2020, qëndrojnë në qeli të paraburgimit, të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit gjatë luftës me ish-Jugosllavinë.
Sheshet kryesore në Kosovë janë mbuluar me flamuj të UÇK-së, me pankarta ku shkruhet “Çlirimtarë, sillini në shtëpi”, “Liria ka emër”, “Heronj të luftës dhe paqes”. Në Prishtinë e në qytete të tjera janë vendosur dhe ekrane të mëdha ku ka filluar numërimi mbrapsht për seancën, e cila do të ndiqet live.
Përveç se në Kosovë, shqiptarë janë vendosur dhe në ambientet e jashtme të Gjykatës Speciale. Policia holandeze ka shtuar ndjeshëm forcat e sigurisë ndërsa gazetari Dibran Estrefi sqaron se autoritetet u kanë lejuar qëndrimin aty deri në orën 23:00.
Një ditë më parë, ka reaguar dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili deklaroi se forcat e KFOR ndodhen në Kosovë dhe se angazhimi i NATO-s për ruajtjen e paqes dhe sigurisë do të mbetet i pandryshuar “pavarësisht çfarë mund të ndodhë këtë javë”.
Seanca do të zhvillohet nesër, më 16 shtator në orën 10:00 dhe do të transmetohet në 3 gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht. I pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi, pas tij do të jetë Kadri Veseli, më pas Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi. Për secilin prej tyre do të shqyrtohen një nga një dhjetë pikat e aktakuzës. Aktakuza përmban gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Konkretisht akuza përmban, krime kundër njerëzimit, përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë dhe në katër pika për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999 në disa zona të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në veri të Shqipërisë. Prokuroria pretendon se viktimat ishin qindra civilë dhe persona që nuk merrnin pjesë në luftime dhe që dyshoheshin se kundërshtonin UÇK-në.
Në përfundim të procesit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit me nga 45 vjet burg secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar pafajësi. Vetë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm.
/tvklan.al












Botërori 2026 
