Gjermania dhe Holanda, dy rivalet historike të futbollit europian, përballen sonte në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, në një sfidë vendimtare për fatin e kualifikimit në çerekfinale.

Gjermania vjen pas fitores 3-1 ndaj Serbisë dhe aktualisht renditet në vendin e tretë me 8 pikë, po aq sa Greqia.

Skuadra gjermane ka nevojë për një rezultat më të mirë se grekët për të siguruar vendin e dytë dhe kalimin në fazën tjetër.

Një fitore ndaj Holandës mund ta ngjisë gjithashtu në krye të grupit, në varësi të rezultatit të ndeshjes tjetër.

Në krahun tjetër, Holanda kryeson grupin me 11 pikë dhe ka një objektiv më të qartë, të shmangë humbjen për të siguruar kualifikimin.

Tulipanët vijnë në këtë takim me moral të lartë pas triumfit spektakolar 7-0 ndaj Greqisë, duke konfirmuar formën e tyre të shkëlqyer në këtë edicion, ku ende nuk kanë pësuar humbje.

Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë ka zgjatur në pesë numrin e përballjeve radhazi pa humbje të Gjermanisë ndaj Holandës, me dy fitore dhe tre barazime.

Gjithçka mbetet e hapur, ndërsa vëmendja do të jetë edhe te dueli Greqi-Serbi, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare të grupit. Të dyja sfidat nisin sonte në orën 20:45.

Klan News

/tvklan.al