Dy përballje të rëndësishme të Ligës së Kombeve luhen sonte në orën 20:45. Në Sevilje, Spanja kërkon të vijojë serinë mbresëlënëse të rezultateve.

Kampionët në fuqi të Evropës e nisën këtë edicion me fitoren 3-2 ndaj Anglisë, ndërsa kanë regjistruar tetë fitore radhazi.

Kombëtarja e Luis de la Fuente nuk ka humbur në 39 ndeshjet e fundit të përfunduara brenda 90 minutave, me 29 fitore dhe 10 barazime.

Edhe statistikat në Sevilje janë në favor të iberikëve, të pamposhtur aty që prej vitit 2018.

Kroacia vjen pas fitores 2-1 ndaj Republikës Çeke dhe kërkon të thyejë dominimin spanjoll në përballjet direkte.

Tri ndeshjet e fundit mes tyre kanë përfunduar me fitore të Spanjës. Për kroatët, kujtimi i fundit nga Sevilja është veçanërisht i hidhur: humbja 6-0 në Ligën e Kombeve.

Në fokus do të jenë Lamine Yamal, Mikel Oyarzabal dhe Álex Baena, ndërsa Kroacia mbështetet te eksperienca e Luka Modrić dhe Mateo Kovačić, si edhe te forma e Marco Pašalić, autor i golit vendimtar në sfidën e parë.

Ndërkohë në Pragë, Republika Çeke kërkon reagimin pas humbjes ndaj Kroacisë. Skuadra e drejtuar nga Santi Denia, trajneri i parë i huaj në historinë e kombëtares çeke, ende nuk ka fituar një ndeshje zyrtare brenda 90 minutave gjatë vitit 2026.

Në sulm, vëmendja pritet të jetë te Pavel Šulc, i cili ka shënuar pesë gola me kombëtaren. Anglia, ndërkohë, vjen pas humbjes dramatike 3-2 ndaj Spanjës.

“Tre Luanët” kaluan në avantazh 2-1, por nuk e ruajtën epërsinë dhe humbën edhe një penallti. Skuadra e Thomas Tuchel ka një statistikë të fortë në transfertë, me shtatë fitore radhazi në ndeshje zyrtare që prej Euro 2024 dhe vetëm një gol të pësuar në këtë seri.

Jude Bellingham, autor i asistit për golin e parë ndaj Spanjës, pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë. Lewis Hall mbetet në dyshim. Liga e Kombeve hyn në një tjetër mbrëmje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.

Klan News

/tvklan.al