22 shtator 2026 – Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, është vetëdorëzuar në policinë kufitare në Morinë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi sot për Hysenin urdhër arresti e akuzuar për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit” në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.

SPAK ka caktuar për Hysenin masën e sigurisë “arrest shtëpie” si dhe “pezullim nga detyra”. Ajo fillimisht është ndaluar nga Policia e Kosovës për t’iu dorëzuar më pas autoriteteve shqiptare, të cilët e kanë shoqëruar për në banesë me qëllim ekzekutimin e vendimit. Teksa lajmi u bë publik sot, Vlora Hyseni nuk ndodhej në Shqipëri pasi kishte udhëtuar drejt Azerbajxhanit, pjesëmarrëse në forumin ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit.

Vlora Hyseni dyshohet se ka ndihmuar nga arratia me informacionet sekrete shtetërore biznesmenin Ergys Agasi. Ky i fundit u arrestua më 26 gusht i dyshuar si kreu një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. Rasti i Hysenit mund të konsiderohet si një prej skandaleve më të rënda që kanë prekur sigurinë kombëtare. Vetë SPAK e thekson se drejtoresha e SHISH ka shërbyer në ndihmë të krimit të organizuar.

Në kuadër të hetimit, janë dhënë masat e sigurisë “arrest me burg” edhe për shefin e laboratorit shkencor të policisë në Tiranë Fatjon Kalluci dhe punonjësin e një biznesi në Durrës. 

Kontrolle janë bërë dhe në banesën e ish-kryepolicin Ilir Proda, i cili mëngjesin e sotëm u thirr për të dështuar përpara prokurorëve të SPAK.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot nga New York për rastin duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Vlora Hysenit nga detyra. Nuk vonoi dhe presidenti i Republikës Bajram Begaj firmosi dekretin në mbrëmje duke përmbushur dhe kërkesën e kreut të qeverisë.


Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni ka punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

 Rruga drejt SHISH

Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftonte se më 17 mars 2023, i kishte propozuar Kreut të Shtetit, Bajram Begajt emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtuese e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Propozimi i kryeministrit u shoqërua me debate dhe kundërshti nga ana e opozitës, e cila i kërkonte në atë kohë Kreut të Shtetit që para dekretimit të merrte informacione të plota rreth saj dhe arsyet e shkarkimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Pavarësisht kundërshtimeve, Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it më 3 prill 2023, rreth dy javë pas propozimit të kryeministrit. Por, pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH, Vlora Hyseni do duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e “AKSHI”.