22 shtator 2026 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga New York-u për masat e sigurisë ndaj Vlora Hysenit, drejtueses së SHISH.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai thekson se çdo dyshim ndaj saj duhet të hetohet dhe zbardhet përmes drejtësisë së pavarur, duke shtuar se askush nuk është mbi ligjin.
Shefi i qeverisë njofton po ashtu se Hyseni do të lirohet menjëherë nga detyra dhe se drejtuesi i ri i SHISH do të zgjidhet pas kthimit të tij në Tiranë, në konsultim me Presidentin.
Postimi i kreut të qeverisë
Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga New York-u, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.
Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.
Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.
Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.
E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.
As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.
Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:
Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.
Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Hyseni akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Zyrtarja e lartë nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri…(Lexo më shumë)
Në kuadër të së njëjtës dosje, me urdhër të GJKKO-së, këtë të martë u kryen kontrolle në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda, i cili ishte thirrur edhe për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.
Po për të njëjtin hetim, masa e “arrestit me burg” është caktuar edhe për shefin e Laboratorit Shkencor të Policisë në Tiranë, Fatjon Kalluci, si dhe punonjësi i një biznesi në Durrës. Sipas asaj që raportohet, këta persona mund të kenë ndihmuar Ergys Agasin t’i shmangej arrestimit për një periudhë të gjatë. Për këtë të fundit dhe ish-efektivin Ulian Shpataraku, Apeli i GJKKO-së vulosi sot masën e “arrestit me burg”.
Në vazhdën e së njëjtës çështje, u arrestua edhe Ermal Beqiraj. Ai akuzohet se ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa SPAK i ka sekuestruar 11 pasuri.












Botërori 2026 