Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka firmosur largimin nga detyra të disa drejtuesve në bashkinë e kryeqytetit.

Veliaj i cili ndodhet në paraburgimin e Fierit ka shkarkuar nga detyra Rigers Sheqerin, i cili mbante detyrën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).

Zyrtarja tjetër e larguar nga detyra është Zhaneta Beqiri, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve.

Vendimet për shkarkimin e tyre janë firmosur një ditë më parë.

Lëvizjet vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama janë tensionuar kohët e fundit.

Në asamblenë e Tiranës që u zhvillua sot, Rama e kritikoi Veliajn se ka shkarkuar njerëz nga puna në bashki vetëm pse nuk i kanë bërë “like” në rrjetet sociale kryebashkiakut.

Nga ana tjetër edhe Veliaj ka pasur kritikat e tij në drejtim të kryeministrit ku e ka akuzuar edhe për kërcënim në burgun e Fierit përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, për tu tërhequr nga bashkia.