Këshilli i Ministrave ka vendosur këtë të mërkurë, më 23 dhjetor, ndryshime në rang drejtorësh në disa institucione të rëndësishme të shtetit.

Fjala është për drejtuesit e KESH (Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare) dhe ARRSH-së (Autoritetit Rrugor Shqiptar, që ndodhen në “arrest shtëpie”, në lidhje me akuzat ndaj tyre për çështjen e Tunelit të LLogarasë.

Kështu, sipas vendimit të qeverisë, Viola Haxhiademi merr detyrën e administratores së KESH. Ajo më parë mbante postin e Sekretares së Përgjithshme, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), post që tanimë e merr, Besjan Kadiu. Ky i fundit ishte zv.ministër në të njëjtin dikaster.

Po ashtu, Ami Kozeli, që deri më tani kishte mbajtur detyrën e zv.ministrit të Infrastrukturës, është emëruar Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sjellim ndërmend se Gjykata e Posaçme e Apelit më herët këtë muaj, la në fuqi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për Gentian Gjylin, kreun e ARRSH-së, dhe drejtorin e KESH-it, Erald Elezi.

SPAK i ka marrë dy zyrtarët, bashkë me ministren e Instrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballukun, njëkohësisht zëvendëskryeministre, nën hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë (lexo më shumë).

Hetimet për tenderat e rrugëve janë pjesë e një sërë procedimesh të nisura nga SPAK për dyshime mbi shkeljen e ligjit në prokurimet publike. Tuneli i Llogarasë dhe projekti i Unazës së Madhe konsiderohen ndër investimet më të kushtueshme të viteve të fundit në vend.