Zv.kryeministrja Balluku inspekton punimet në këtë aks
Nis asfaltimi në Lotin 1 të aksit rrugor Elbasan-Qafë Thanë, një aks tepër i rëndësishëm i Korridorit të 8-të. Punimet po avancojnë me ritme të shpejta dhe brenda pak javësh ky lot me gjatësi prej afro 5 km do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, së bashku me kreun e ARRSH-së, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve.
Belinda Balluku: Referuar kontratës punimet për Lotin 1 duhet të përfundojnë në fund të muajit Mars të këtij viti, por për 6 javë do të kemi komplet lotin e parë të autostradës të Korridorit të VIII, Elbasan-Qafë Thanë, të përfunduar. Kur të vijë sezoni veror kjo pjesë e vështirë e kalimit në zonën e Labinot Fushë do të jetë komplet e zgjidhur, dhe ne do të jemi të gatshëm për të vazhduar me të gjithë segmentet e tjera.
Ndërsa kreu i ARRSH-së, Evis Berberi foli për detajet teknike të punimeve të këtij loti.
Evis Berberi: Kemi 4 segmente të hapura sot. Tek loti i parë filluam asfaltin, ndërkohë tek lotet e tjera gradualisht punojmë me shtresën mbushëse, me veprat e artit, me gërmimet dhe me krijimin e pilotave tek ura e madhe mbi lumin Shkumbin që na lidhë me zonën e Murrashit, ku do të ketë një devijim të madh me një tunel për të dalë matanë zonës së Murrashit.
Sfidë mbetet Bypass-i i Elbasanit sipas Ballukut pasi do të bëjë të mundur çlirimin e trafikut duke shmangur lëvizjen e automjeteve përmes qytetit të Elbasanit.
Belinda Balluku: Sfida jonë më e madhe do të mbetet bypass-i i Elbasanit pasi kjo autostradë do të zgjidhë gjithë trafikun, por përsa kohë krijon hinkën dhe hyrjen direkt në qytetin e Elbasanit nuk do jetë një zgjidhje e plotë. Kështu që, direkt me përfundimin dhe detajimin e projektit, ne do të jemi të gatshëm që të fillojmë më pas dhe të hedhim hapa përsa i përket buxhetimit edhe garës për bypass-in e Elbasanit, duke pasur parasysh dhe diçka shumë të rëndësishme që në zonën ku do të ndërtohet bypassi i Elbasanit ne kemi nisur punën për projektin e madh të pistës së Formula 1.
Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë si pjesë e Korridorit të 8-të do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe njëkohësisht rrit parametrat e sigurisë rrugore.
Klan News