Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sinjalizon nisjen e një armëpushimi të ri me Hamasin. Mundësinë e arritjes së armëpushimit, Netanjahu ua bëri të ditur familjarëve të disa prej personave që ende mbahen peng nga Hamasi, gjatë një takimi me ta në Uashington. Kreu i qeverisë izraelite u tha atyre se marrëveshja e armëpushimit parashikon lirimin e rreth 100 pengjeve të mbetur ende në duart e Hamasit.

Netanjahu mbërriti të Hënën në Shtetet e Bashkuara ku do të mbajë fjalim para kongresit dhe do të takohet edhe me presidentin Joe Biden. Ishte pikërisht shefi i Shtëpisë së Bardhë, ai që nxiti një armëpushim të ri sipas një plani të hartuar nga Uashingtoni që synon që me ndërprerjen e përkohshme të luftimeve të çojë drejt fundit të luftës në Rripin e Gazës.

Hamasi vuri fillimisht si kusht për pranimin e një armëpushimi, largimin e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza, por më pas ky qëndrim u zbut me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit. Konflikti i nisur pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, i ka marrë jetën deri më tani 39 mijë palestinezëve dhe 1200 izraeliteve. Deri më tani janë liruar 105 pengje izraelite të marrë nga Hamasi, në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë.

Tv Klan