Xhensila Hidri, një 25-vjeçare e cila gjatë kohës së studimeve ka punuar si dado për familje të huaja ndan në një intervistë për “Aldo Morning Show” në Tv Klan eksperiencën e saj në një profesion të tillë.

Ajo tregon se si një dado kërkohet nga familjet më shumë sesa gjyshërit për shkak të kualifikimeve të saj dhe respektimit të kufijve që vendosin prindërit. Të favorizuara janë ato që kanë një formim si infermiere apo pediatre sepse njohin edhe aspektin mjekësor për t’u kujdesur për fëmijën.

Aldo: Cilat janë kriteret që duhet të ketë një dado se për infermieren e dimë, po për dado ka?

Xhensila Hidri: Sigurisht që po, patjetër që duhet të ketë një arsim dhe kryesisht edhe arsimin e lartë. Por siç e thashë dhe më parë duhet të ketë një bagazh për sa i përket rritjes së fëmijëve si lojërat, stimuli i të mësuarit nga ana edukative në bazë të moshave gjithmonë se ka dado që kujdesen për latantë (bebe të vogla, të sapolindura). Kam përshtypjen se dadot që merren me fëmijët që ata janë në fazën që iu dalin dhëmbët, që ecin kam përshtypjen që është periudha më e vështirë. Dadot, ndryshe nga gjyshërit kanë një përgjegjësi të dyfishtë sepse të rrisësh fëmijën e një personi të huaj, ta quajmë por që avash-avash bëhet familjar, është e madhe. Kërkesat këto janë, të ketë arsimin, të jetë e certifikuar.

Aldo: E certifikuar nga?

Xhensila Hidri: Nga kurset që janë për babysitter, sigurisht.

25-vjeçarja thotë se ka prindër me kërkesa shumë strikte për fëmijën të cilat dadoja është e detyruar t’i respektojë.

Xhensila Hidri: Gjyshërit asnjëherë nuk i respetkojnë rregullat e nënës sepse është ajo pjesa e dashurisë që thotë jo, mos e bëj kështu sepse ne më përpara e kemi bërë kështu. Kurse tani gjërat kanë ndryshuar sigurisht dhe dadot gjithmonë i respektojnë rregullat për gjumin. Më beso që ka edhe prindër që thonë fëmija im deri në moshën 2 apo 2 e gjysmë nuk duhet të shikojë televizor, as internet, as muzikë, asgjë kështu që ato janë të detyruara që ta bëjnë.  

Aldo: Cila është mosha ideale për një dado?

Xhensila Hidri: Kryesisht merren 25 e sipër por ka dhe familje që e përcaktojnë 35-45 por ka edhe nga  ato që maksimumi deri në 53 vjeçe sepse flasim që mos të jenë në moshën e gjysheve, të kenë fuqi dhe të futen në botën e fëmijëve. Kryesisht është ideja që dadot të futen në botën e fëmijës, t’i nxjerrin shëtitje dhe në momentin që dalin në park të takohen me fëmijë të tjerë, të ketë zhdërvjelltësi, të ketë anën sociale. Por ka edhe fëmijë me thënë të drejtën që edhe pse nuk kanë pasur shumë kontakt me fëmijë të tjerë, janë vetë shumë socialë.  

Një tjetër aspekt ku Xhensila ndalet është prania e kamerave në shtëpi. Ajo thotë se dadot e dinë se si funksionon dhe është normale sepse një familje do më të mirën për fëmijën. Mes të tjerash, ajo shton edhe shifrat e pagesave që marrin dadot të cilat punojnë me kohë të pjeshme dhe të plotë.

Xhensila Hidri: 40 mijë lekë të reja deri në 1 milionë.

Aldo: Në muaj flasim gjithmonë?

Xhensila Hidri: Po.

Aldo: Domethënë 1 milionë është ai që jeton aty?

Xhensila Hidri: Po, 24 orë, patjetër./tvklan.al