Marrëveshja mes PD-së dhe PS-së për ngritjen e komisioneve hetimore ka sjellë normalitetin në Kuvend. Palët ranë dakord për ngritjen e dy komisioneve, njëri që do të merret me rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS dhe i dyti për shërbimet në shëndetësi ku përfshihen çështjet e “Sterilizimit” dhe “Check Up”-it.
Opozita ka zbardhur sot anëtarët e saj në këto dy komisione. Mësohet se tek Komisioni Hetimor për TIMS-in, kryetar do të jetë Ervin Salianji. Ndërkohë do të ketë edhe 6 anëtarë të tjerë që do të përbëhet nga Ramadan Lika, Lefter Gështenja, Xhelal Mziu, Elda Hoti, Luan Baçi dhe Asllan Dogjani.
Edhe Komisionin Hetimor për Shëndetësinë do ta drejtojë një opozitare dhe ajo është Albana Vokshi. Anëtarë do të jenë Zheni Gjergji, Ina Zhupa, Edmond Spaho, Sajmir Korreshi dhe Petrit Vasili.
Ndërkohë nga mazhoranca socialiste janë mësuar vetëm emrat e dy nënkryetarëve që do të ketë në këto komisione. Ata do të jenë Plarent Ndreca për komisionin për shërbimet në shëndetësi dhe Toni Gogu për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS.
Anëtarët e tjerë do të mësohen gjatë seancës parlamentare të ditës së nesërme pasi emrat janë ende në fazë konsultimesh./tvklan.al