Një pikë e vetme në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po kthehet në burimin kryesor të tensioneve të reja për Ngushticën e Hormuzit.
Sipas një burimi pranë regjimit iranian, neni 5 i marrëveshjes është thelbi i mosmarrëveshjes mes palëve. Burimi pretendon se SHBA-ja kishte pranuar një menaxhim të trafikut detar në Hormuz nën drejtimin e Iranit, në koordinim me vendet bregdetare, përfshirë Omanin.
“Amerikanët tani po ndryshojnë rregullat e lojës, si gjithmonë. Për këtë arsye jemi të detyruar të mbyllim Hormuzin”, është shprehur burimi, duke iu referuar tensioneve të fundit dhe përplasjeve ushtarake.
Në Teheran, retorika është ashpërsuar. Këshilltari i Udhëheqësit Suprem iranian, Mohsen Rezaee, ka deklaruar se kjo rrugë strategjike detare është “më e rëndësishme se dhjetëra bomba atomike” dhe se Republika Islamike do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur atë.
Sipas burimeve iraniane, Ngushtica e Hormuzit nuk konsiderohet një mjet negociimi, por një çështje sovraniteti dhe sigurie kombëtare. Teherani paralajmëron se çdo sulm i mëtejshëm do të marrë përgjigje.
Në planin diplomatik, Katari dhe Pakistani po përpiqen të mbajnë të hapur kanalet e komunikimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa rolin kryesor në negociata duket se po e luan Omani.
Zëdhënësi i ekipit negociator iranian, Esmaeil Baghaei, bëri të ditur se ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Omanit janë takuar për të koordinuar rregullat e ardhshme për trafikun detar në Hormuz. Diskutimet, sipas burimeve, përfshijnë çështje teknike si rrugët e lundrimit, përgjegjësitë në rast incidentesh dhe masat e sigurisë.
Ndërkohë, Irani ka pranuar për herë të parë që nga armëpushimi i 8 prillit se ka goditur një bazë amerikane në territorin e Omanit. Më herët, gjatë 40 ditëve të konfliktit, Teherani kishte mohuar sulmet ndaj objekteve energjetike në Oman, për të mos dëmtuar rolin ndërmjetësues të këtij vendi.
Ekspertët paralajmërojnë se strategjia aktuale amerikane ndaj Iranit mund të çojë në një konflikt të zgjatur me intensitet të ulët, pa një objektiv të qartë politik. Sipas tyre, sulmet ndaj bazave apo depove mund të shërbejnë si mesazhe force, por nuk përbëjnë një zgjidhje afatgjatë.
Në qendër të shqetësimeve mbetet ndikimi global i një mbylljeje të mundshme të Hormuzit. Ekspertët paralajmërojnë se nëse kjo ngushticë bllokohet, së bashku me ngushticën Bab el-Mandeb në hyrje të Detit të Kuq, furnizimet me naftë dhe gaz për tregjet aziatike mund të goditen rëndë.
Vendet arabe të Gjirit, përfshirë Omanin, Arabinë Saudite, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Jordaninë, kanë dënuar sulmet iraniane, ndërsa Omani ka thirrur për konsultime ambasadorin e Iranit në Muskat.
/tvklan.al












Botërori 2026 
