Ashtu siç u lajmërua më 15 tetor 2025, naftëtarët e “Bankers Petroleum Albania”, kanë nisur grevën e urisë në kërkim të kushteve më të mira pune.

Janë rreth 250 punonjës, siç raporton gazetarja e Klan News, Anila Sefa, teksa 80% e punës është ndërprerë. Janë rreth 400 puse nafte që nuk po monitorohen nga punonjësit, nga 600 puse aktive në total që ka Bankers.

Dy janë kërkesat e tyre kryesore, rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve të punës.

“Sot jemi në ditën e dytë të grevës. Protestojmë për kushtet e punës, normalisht dhe për pagat. Për momentin jemi mbledhur të gjithë, puna është bojkotuar. Presim… Presim që kompania të japë reagimin e saj, sepse edhe ne nuk kemi qejf të lëmë punën, kjo nuk diskutohet. Por, në kushtet që jemi është i pashmangshëm bojkotimi. Shpresojmë që të na realizohen (kërkesat), sepse janë kërkesa shumë të thjeshta. Ne kerkojmë rritjen e pagës, gjë që na takon, sepse punojmë në kushte shumë të vështira pune. Punojmë ditën, punojmë natën, punojmë në shi, punojmë në temperature të larta, pluhur, gazi i pranishëm gjithandej. Kështu që, thjesht presim që të na vlerësojnë”, u shpreh një prej operatorëve në fushë.

Deri më tani, asnjë nga administrata e Bankers nuk ka kthyer përgjigje për grevën dhe kërkesat e punonjësve.

Bojkoti i punës së punonjësve dhe greva e sindikatës së Bankers, është shoqëruar gjithashtu dhe me postera që mbështesin kërkesat e tyre.

“Inxhinier por i mjerë”, “I mbytur në naftë dhe i zhytur në borxhe”, “Naftëtarët nuk janë për lëmoshë”, ishin disa prej posterave.

Punonjësit e Bankers kërkojnë njëzëri rritje page të paktën 1 mijë euro në muaj. Ata kanë paralajmëruar se nga ora 07:00 e mëngjesit të së enjtes do të ndërpritet puna.

Kjo është protesta e katërt e organizuar nga Sindikata e Bankers gjatë vitit 2025. Kërkesave të tyre nuk u është ofruar asnjë zgjidhje, ndaj ata morën vendimin ekstrem për të hyrë në grevë urie.

Kujtojmë se kompania “Bankers Petroleum Albania”, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për mashtrim nga ana e drejtuesit dhe disa punonjës të kompanisë.

Në korrik, Prokuroria e Fierit, e cila nisi fillimisht hetimet për t’ia kaluar kompetencën më pas SPAK-ut, njoftoi se pas 6 muajsh punë hetimore, kishte dërguar në gjykatë 14 masa sigurie, mes të cilave edhe për CEO-n aktual të “Bankers Petroleum Albania”, H.X. dhe ish-CEO-n L.Ç., të dy të arrestuar.

Referuar hetimeve, organi i akuzës bëri të ditur që kishte dokumentuar se personat nën hetim kishin ngritur skema mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, kanë fshehur të ardhurat apo kryer pastrim parash.

Hetuesit thonë se, edhe pse shoqëria ka kryer eksporte në sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier, ka deklaruar shpenzime që tejkalonin këto fitime. Sipas akuzës, nga hetimet e kryera përmes përgjimeve dhe analizave të kontratave të lidhura nga Bankers, shpenzimet rezultonin si fiktive.

/tvklan.al