Këtë të mërkurë, më 15 prill, u zhvillua seanca në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe të 29 të pandehurve të tjerë, të përfshirë në të njëjtën dosje.

Në seancë, Veliaj nuk ishte i pranishëm, ndërsa nuk është paraqitur as deklarata e tij. Gjykata ka kërkuar sqarime mbi arsyet e mungesës së tij, duke theksuar se Drejtoria e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin për shoqërimin e të pandehurit dhe nuk ka vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se në këtë seancë, avokati i Veliajt ka deklaruar se duhet të garantohet e drejta e çdo të pandehuri për t’u njoftuar dhe ka ngritur pretendimin se mungon vullneti i shprehur i klientit të tij për pjesëmarrje në seancë. Ai ka kërkuar gjithashtu që procesi të mos vijojë dhe që gjykata të vendosë në dispozicion të gjitha fashikujt hetimorë, pasi sipas tij bëhet fjalë për një procedim të lidhur.

Prokurori i Posaçëm Altin Dumani i mori në konsideratë rrethanat e relatuara nga avokati, dhe ka theksuar se i pandehuri nuk është njoftuar pavarësisht urdhrit të gjykatës, duke shtuar se Drejtoria e Burgjeve nuk e ka zbatuar atë. Ai ka kërkuar që institucioni të japë shpjegime, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe se mosnjoftimi po bëhet shkak për shtyrjen e seancave. Dumani ka kërkuar gjithashtu që, në rast shtyrjeje, të caktohet një datë sa më e afërt.

Nga ana e saj, gjykata ka konstatuar moszbatimin e urdhrit dhe ka theksuar se kjo çështje duhet sqaruar nga Drejtoria e Burgjeve, duke nënvizuar se Erion Veliaj nuk është paraqitur në asnjë seancë deri më tani. Sipas trupit gjykues, institucioni përgjegjës duhet të japë shpjegime për moszbatimin e urdhrit gjyqësor. Seanca e radhës është caktuar më 27 prill, në orën 12:00.

Sjellim ndërmend se Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt të vitit të kaluar. Mbi të rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg, akuza që janë hedhur poshtë prej tij.

/tvklan.al