Zbardhet ngjarja e ditës së shtunë ku humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga pas një konflikti në qytetin e Pogradecit. Burime nga policia bënë me dije se viktima është goditur nga një person i identifikuar tashmë si Denis Meçe, i cili e ka dhunuar dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Mësohet se dy personat janë konfliktuar në afërsi të një lokali, ndërsa viktima pasi është goditur nga Meçe, ka hyrë brenda lokalit dhe ka qëndruar vetëm 2 minuta, e më pas ka dalë duke u rrëzuar në tokë për shkak të dhunës së shkaktuar. Ngjarja që fillimisht u dyshua si aksidentale, rezultoi në një vrasje. 

Sipas burimeve nga uniformat blu bëhet me dije se sherri ka ndodhur për motive të dobëta. Grupi hetimor ka dyshime se ngjarja ka ndodhur nën efektin e alkoolit, si autori i dyshuar ashtu edhe viktima.

Ata janë  konfliktuar fizikisht jashtë ambienteve të një lokali, në lagjen numër 1 në Pogradec. 42-vjeçari pasi është dhunuar është futur në ambientet e brendshme të lokalit. Ndërkohë do të jetë akt-ekspertiza e mjekësisë ligjore e cila do të përcaktojë shkakun final të vdekjes së  42-vjeçarit.

Viktima ndërroi jetë pasi u transportua në spitalin e Pogradecit, për shkak të hemorragjisë që pësoi nga dhuna e ushtruar. Policia ka arrestuar autorin e vrasjes. Po kështu janë arrestuar tre persona të tjerë për moskallëzim krimi dhe kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Klan News