Sting thotë se nuk ndien “asnjë konkurrencë” nga Inteligjenca Artificiale në krijimin e muzikës.

Ish-këngëtari i grupit The Police u shpreh në emisionin e BBC-së “Sunday With Laura Kuenssberg” se, ndonëse teknologjia është në gjendje të krijojë një këngë pop tërheqëse, asaj i mungon përvoja jetësore e një artisti njerëzor.

“Besoj se Inteligjenca Artificiale mund të krijojë muzikë pop absolutisht të denjë, atë lloj muzike që mund ta dëgjosh në një stacion treni ose në hollin e një hoteli. Por, ndërsa e dëgjon, a do ta dëgjoje vërtet me vëmendje?”

Ai pohoi se këngët e prodhuara nga Inteligjenca Artificiale nuk kanë një histori të jetuar, ndaj nuk duket sikur po dëgjon vërtet një këngë.

“Sepse Inteligjenca Artificiale nuk e ka përjetuar dhimbjen e një zemre të thyer, nuk ka historinë e saj, ajo ka një histori të huazuar. Prandaj, në thelb, nuk po dëgjon vërtet një këngë.”

Sting theksoi se pavarësisht përparimit të Inteligjencës Artificiale në muzikë, publiku vijon të kërkojë emocionin e artistit në skenë.

“Pikërisht për këtë arsye, të paktën deri tani, nuk ndiej se ekziston ndonjë konkurrencë. Njerëzit ende duan të shkojnë në koncerte, të shohin një njeri, një njeri të pambrojtur, që mund të gabojë dhe jo një makinë që është perfekte.”

/tvklan.al