Albin Kurti ka dështuar në përpjekjen e tij të 20-të rradhazi për të bindur partitë opozitare për të pranuar votim të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare.
Edhe këtë herë, përpara vijimit të seancës, kryesuesi Avni Dehari zhvilloi një konsultim të shkurtër me përfaqësuesit e subjekteve politike por pa sukses. Ato nuk pranuan formimin e Komisionit që do të monitoronte votimin e fshehtë për kreun e parlamentit.
Në sallë gjatë votimit ishin të pranishëm 111 deputetë, nga të cilët 53 votuan, por ndërkohë që duheshin të paktën 61 vota pro.
Ish-Kryeministri Haradinaj i kërkoi Kurtit të heqë dorë nga Haxhiu për të propozuar një tjetër kandidaturë për kreun e parlamentit.
Ministrja e Jashtme e dorëhequr Donika Gërvalla Zhvarc nuk pranoi që në këmbim të votave, kryetar parlamenti, të propozohej Fatmir Limaj.
Mosvotimi i Haxhiut ka penguar konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Seanca e radhës do të mbahet të dielën në orën 11:00.
Klan News