Nuk janë thjesht oborre të një shtëpie. Janë kujtesë, histori dhe mënyrë jetese. Oborre të mbushura me diell, lule, pemë frutore dhe zëra që duket sikur vijnë nga dekada më parë. Ndaj nuk quhen kot “Oborre që flasin”. Këtu çdo portë hap një rrëfim. Çdo oborr ka një emër, një identitet. Një histori që pret të dëgjohet. Këto oborre janë të fshehura në rrugicat e gurta të Himarës.
Ndalesa e parë është në fshatin Vuno. Aty ndodhet shtëpia e limonit. Këtu aroma e limonit bashkohet me erën e detit. E zonja e shtëpisë i pret mysafirët me më të mirën e kulinarisë së fshatit. Gjithçka është bio.
Jo vetëm në Vuno. Oborre të tilla ka edhe në Ilias. Nën hijen e pemës së vjetër të Xhibanozës, çifti i bashkëshortëve Gogo dhe Lida mirëpresin vizitorët. Pritja është njësoj, ashtu siç ka qenë edhe më parë në këto anë.
Ata që vijnë gjejnë tavolinën plot. Në të njëjtin fshat ndodhet edhe shtëpia e këmborëve. Është pagëzuar me këtë emër për shkak të historisë së çiftit që jeton këtu. Bëhet fjalë për Lefterin dhe Katerinën.
Gatimet që mund të provohen këtu janë të trashëguara brez pas brezi. Me rëndësi për autoritetet është që tradita të ruhet dhe mikpritja në këto oborre të trashëgohet brez pas brezi.
“Oborret që flasin” është një destinacion turistik që synon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota, të cilët mund të mësojnë copëza historie që fshihen këtu”, thotë nënkryetari i Bashkisë së Himarës, Thimjo Gjinuci.
Nisma “Oborret që flasin”, e mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Bashkia e Himarës, ka hapur dyert e 5 shtëpive tradicionale të zonës. Në hyrje të tyre është vendosur tabela identifikuese dhe kodi QR me të cilin vizitorët mund të mësojnë më shumë për historinë në gjuhën shqipe dhe anglisht.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 