Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një nga fenomenet më shqetësuese në shoqëri. Sipas organizatës së kombeve të bashkuara, në Shqipëri më shumë se gjysma e grave kanë përjetuar gjatë jetës një formë të dhunës.
“Kemi të bëjmë me individë, ushtruesit e dhunës në këtë rast që kanë probleme të ndryshme, varësi. Lidhet edhe me nivelin tonë të tolerancës ndaj dhunës, jemi shoqëri në tranzicion, por ende gjenden rëndomë elementë patriarkale”, tha sociologia Eris Dhamo .
Nga viti 2021 deri në vitin 2025, 31 gra ishin viktima të femicidit, 27 prej të cilave u vranë me dashje nga partnerët ose nga pjesëtarë të familjes.
“Po kemi një rritje, për shkak të dy traumave të mëdha që ka pësuar shoqëria, pandeminë dhe covid kemi një rritje të përshpejtuar të dhunës”, tha Dhamo.
Sipas të dhënave, nga fillimi i këtij viti deri më tani, organet ligjzbatuese paraqitën në gjykatë 2 321 kërkesa për urdhra mbrojtjeje. Për sociologët, rritja e shifrave lidhet edhe me ndërgjegjësimin e grave për të mos heshtur.
“Kemi një rritje dhe shtim të grave që denoncojnë dhunën. Si vijon situata përtej urdhrit të mbrojtjes është shumë më e rëndësishme”, tha Dhamo.
Megjithatë, situata mbetet ende problematike sidomos në zonat periferike. Por çfarë e pengon një grua të denoncojë dhunën?
“Një grua e dhunuar nuk mendon më për veten. Mirë unë po vuaj por cfarë ndodh me të tjerët. Mendojnë për fëmijët. Një element i rëndësishëm ishte stigmatizimi. Pasiguria ekonomike gjithashtu”, tha Dhamo.
Me zhvillimet teknologjike dhuna ka marrë forma të reja. Sipas OKB, 41 për qind e grave kanë përjetuar dhunë në hapësirën digjitale.
/tvklan.al












Botërori 2026 