Mandati i 19-të i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës i ka shkuar Olta Xhaçkës. Së bashku me Blerina Gjylametin, të cilat rivalizuan deri në kutinë e fundit të ardhur nga diaspora ato e ndoqën nga afër procesin e numërimit në Parkun Olimpik të Tiranës.

Rezultati foli për Xhaçkën me rreth 100 vota më shumë. Pas përfundimit të numërimit, dy deputetet aktuale të Partisë Socialiste i dhanë dorën njëra tjetrës.

Pretendent për një mandat në Tiranë ishte edhe Xhemal Qefalia. Me mbylljen e numërimit të votave të ardhura nga diaspora për kandidatët shkoi në 6 numri i qarqeve që përfundoi këtë proces. Megjithatë rreth 15 kandidatë për deputetë të të dy kampeve kanë kërkuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pamjet filmike të procesit të numërimit.

Nga Partia Socialiste janë ndër të tjerë Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia. Kërkesë për pamjet filmike kanë bërë edhe kandidatët për deputetë të koalicionit të drejtuar nga PD si Ilir Alimehmeti në Tiranë dhe Aulon Kalaja në Durrës.

Tv Klan