Një operacion i gjerë antidrogë po zhvillohet këtë të enjte në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit. Burime për Klan News bëjnë të ditur se Prokuroria e Tiranës ka firmosur të paktën 112 urdhërarreste dhe deri më tani janë ekzekutuar 70 prej tyre. Ndërsa në total raportohet se janë lëshuar mbi 200 urdhërarreste në të gjithë vendin.
Po ashtu, deri në këto momente, raportohet të jenë sekuestruar mbi 3 kg kokainë. Ndërkohë gjatë operacionit është konstatuar edhe një lloj droge e re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë.

Gazetari Besar Bajraktaraj, i cili përcjell këtë foto, thotë se bëhet fjalë për kanabis të rritur në kushte laboratorike, e që vinte në Shqipëri me postë nga Kanadaja i fshehur në konserva peshku.
Burimet thonë gjithashtu se janë kapur qindra doza kanabisi dhe janë sekuestruar shuma të mëdha parash, si dhe armë zjarri. Në këtë veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mësohet se ka edhe vajza të përfshira.
Përveç Tiranës, operacioni është zhvilluar edhe në qytete të tjera ku forcat e RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në Elbasan, Fier, Durrës, Shkodër, Korçë, etj.
Në Durrës deri më tani raportohet për të paktën 20 të arrestuar, në Korçë të paktën 18 dhe 7 në Elbasan.
Hetimet për rastin kanë nisur afro 6 muaj më parë. Autoritetet mësohet se e kanë dokumentuar këtë aktivitet kriminal me përgjime, duke i mbajtur në vëzhgim anëtarët dhe një pjesë edhe me blerje të stimuluara.
Arrestimet nëpër qytete sipas informacioneve të deritanishme:
Durrës – Janë arrestuar rreth 20 persona, si shpërndarës apo prodhues të lëndëve narkotike.
Korçë – Rreth 18 persona janë arrestuar gjatë orëve të fundit nga Drejtoria Vendore e Qarkut të Korçës. Në operacion janë përfshirë më shumë se 50 forca policie jo vetëm në qytetin e Korçës, por edhe në zonat e tjera të juglindjes së vendit. Të arrestuarit janë prodhues e shpërndarës të lëndëve narkotike.
Elbasan – Janë arrestuar 7 persona dhe 5 janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe një polic. Efektivi Saimir Hysa është vënë në pranga nën akuzë për shpërdorim detyre e përkrahje të autorit të krimit. Në pranga kanë rënë Glidi Ballolli, Frencesk Braho, Evis Duzha, Rapi Malaj, Saimir Rexhepi e Stiven Faqolli. Të ndaluarit akuzohen për drogë, armë pa leje e trafik veprash arti.
Shkodër – Burime pranë policisë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit në Shkodër është sekuestruar një parcelë me 10 mijë rrënjë kanabis në zonën e Dajçit. Janë disa persona të shoqëruar.
*Operacioni në fjalë vijon dhe të dhënat janë në përditësim./tvklan.al
















Botërori 2026