Të ftuar: Oerd Bylykbashi, Rudina Hajdari, Damian Gjiknuri, Petrit Vasili, Robert Rakipllari dhe Andi Bejtja.

Kush i uli në tryezë PS-PD-LSI? Gazetari zbulon gjithçka​

Tre partitë kryesore politike në vend, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u ulën sot në tryezën e bisedimeve për Reformën Zgjedhore.

PS përfaqësohej nga Damian Gjiknuri, PD nga Oerd Bylykbashi dhe LSI nga Petrit Vasili.

Në tryezën e bisedimeve ishte edhe Rudina Hajdari, si përfaqësuese e grupit parlamentar demokrat. Mes palëve u arrit një dakordësim paraprak.

Por kush ishte personi që bashkoi palët dhe i uli në tryezën e bisedimeve.

Gazetari Robert Rakipllari ka treguar në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ky person është ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë.

“Bazamenti i gjithë kësaj histoire është rezoluta e Bundestagut gjerman. Është negociuar mes të djathtës e të majtës së Bundestagut gjerman.

Unë di që në një tryezë që është bërë për Reformën Zgjedhore në Sheraton me përfaqësuesit e komisionit të reformës ku ka shkuar edhe përfaqësuesi i opozitës së bashkuar z.Ivi Kaso, ka pasur një ndërmjetësim të fortë amerikan. Z.Palmer ka pasur bisedë telefonike me z.Basha që opozita të jetë e përfaqësuar në atë tryezë dhe procesi ka vijuar më tej me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Së fundmi, negociatori kryesor që ka ulur palët në tryezë është ambasadori britanik në Tiranë”, u shpreh Rakipllari. 

Dialogu PS-PD-LSI, Gjiknuri: Zgjedhjet e parakohshme, jo pjesë e dokumentit

Tre partitë PS, PD dhe LSI u ulën sot në tryezën e bisedimeve për Reformën Zgjedhore dhe arritën një marrëveshje paraprake.

Por a përfshin ky dokument zgjedhjet e parakoshme, një kërkesë kjo e artikuluar disa herë nga Partia Demokratike?

Përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, u shpreh se zgjedhjet e parakohshme nuk pëfshihen në këtë dokument.

Por, as nuk e mohon nëse mazhoranca gjykon në të ardhmen nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Çështja e zgjedhjeve të parakoshme nuk është pjesë e atij dokumenti. Nëse në një situatë të caktuar mund të gjykojë kjo mazhranë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, atëherë do ta gjykojë kjo mazhorancë. Ka pasur një vullnet të mirë nga të dyja palët dhe është produkt i mirëfilltë shqiptar. Ka qenë një reflektim i palëve për të gjetur një rrugëdalje. Palët do të përplasen në zgjedhje.

Kemi bërë kompromiset tona. Kjo mazhorancë i ka votat totale për ta bërë dhe vetë reformën. Por, kemi vendosur që t’i lëmë një pozicion opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore. Jemi të gatshëm të gjejmë modalitete bashkëpunimi”, u shpreh deputeti i PS Damian Gjiknuri.

A mbetet Rama kryeministër?!

Një vit pasi doli nga parlamenti, opozita ka rënë dakord me mazhorancën për të kryer së bashku Reformën Zgjedhore, në një tavolinë ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues nga PS Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari si përfaqësuese e grupit parlamentar demokrat, nga PD Oerd Bylykbashi  dhe nga LSI Petrit Vasili.

Të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ata kanë folur pikërisht për këtë zhvillim të rëndësishëm politik.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se përse PD dhe LSI vendosën të ulen në një tryezë me qeverinë dhe me opozitën e re parlamentare të cilët nuk e njohin, Vasili u shpreh se arsyeja është e thjeshtë.

Sipas tij, PD dhe LSI që prej muajit Tetor kanë bërë disa kërkesë dhe kanë parashtruar disa alternativa për të dalë nga kriza e thellë politike, ku në mesin e tyre ishte edhe ajo për çështjen e Reformës Zgjedhore.

Vasili tha se “gjithçka që ishte një rrugëzgjidhje logjike, mori pamje dhe formë të pranueshme në një dokument të tillë”.

Blendi Fevziu: A nuk është një hap pas në raport me ato që keni deklaruar?

Petrit Vasili: Jo, ne nuk flasim me ulje apo mos-ulje, ne flasim cili është qëndrimi që kemi mbajtur në atë kohë dhe nëse ka inkoherenca… ky është një qëndrim logjik, nuk ka qenë as maniakal, as asgjë….

Blendi Fevziu: Kjo ulje në tryezë, e përjashton faktin që Rama të mbetet dhe kryeministër para zgjedhjeve?

Petrit Vasili: Jo prit, më thuaj a gjen inkoherencë në këtë?

Blendi Fevziu: Inkoherencë është qëndrimi disa mujor, largimi nga parlamenti, mos të kthehem tani tek çfarë keni deklaruar se me Gjiknurin nuk uleni…

Robert Rakipllari: Inkoherenca është e plotë këtu, logjikë ka, por inkoherenca është e plotë. Sepse zotërinjtë kanë thënë që nuk ulemi me Ramën deri sa ai të japë dorëheqjen. Nuk është çështja e parimeve por se kush i bën…

Oerd Bylykbashi: Me ligj ne mund të vendosim rregulla të tjera të forta, por Reforma Zgjedhore do të tregojë se kush janë zgjidhjet për çdo problem.

Blendi Fevziu: Ne kemi vuajtur nga problem ligjor apo nga deformimi  që i ka bërë ligjit Rama?

Oerd Bylykbashi: Ne kemi vuajtur nga vullneti negativ i Edi Ramës në raport me zgjedhjet

Blendi Fevziu: E pse ndryshoi tani vullneti i Ramës?

Oerd Bylykbashi: Madje, në 2013 vullneti i tij u bë njësh me atë të krimit të organizuar dhe futi në parlament kriminelët. Ne kësaj do t’i vëmë barrierat.

Blendi Fevziu: Si do ia vini barrierat?

Oerd Bylykbashi: Por zgjedhjet janë vullnet politik.

Blendi Fevziu: Por për këtë ju ka ftuar që para dy vjetësh Rama?

Oerd Bylykbashi: Rekomandimi i parë që i shkruan në ballë Ramës ODIHR ka tre palë zgjedhje, sepse me vullnet politik shkeli standardin për sekretin e votës, për lirin e votës…

Petrit Vasali: Ne nuk po bëjmë karakterizime psikologjike por politike, kjo çështje është e tillë, pasi është prodhuar një krizë e madhe, kemi ardhur në këtë pikë, u rëndua situata politike, kishim 5 kushte dhe na u bënë 9. Pra një situatë e rënduar, e përqëndruar tek çështja e votës, kërkon një qasje të re dhe një reflektim të ri. Sigurisht dhe mazhoranca ka reflektuar nga dy- tre vjet më parë… nga kjo vijmë në këtë pikë që kemi dokument parimesh.

Blendi Fevziu: Nëse keni reflektuar dakord, por jo që keni koherencë… 

Rakipllari i përmend Gjiknurit “çunat problematikë”, si reagon deputeti i PS

Gjatë analizës në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan për tryezën e sotme mes PS-PD-LSI për Reformën Zgjedhore, gazetari Robert Rakipllari ka përmendur “çunat problematikë” që dolën në përgjimet e prokurorisë së bashku me emrin e deputetit socialist Damian Gjiknuri në zgjedhjet e kaluara.

Sipas gazetarit, nëse tryeza mes palëve do të plotësojë kërkesën e hershme të opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, atëherë opozita ka arritur kauzën e saj. Në rast të kundërt, ai u shpreh se do të vijojë e njëjta situatë.

Robert Rakipllari: Kërkesa kryesore e opozitës, kauza kryesore e saj, ka qenë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka qenë me një qeveri kujdestare, me një qeveri teknike. Në qoftë se opozita e arrijnë këtë gjë me ndërmjetësim ndërkombëtar, kjo do ishte një mënyrë që kauza e opozitës për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme të arrihet. Në rast se kjo nuk arrihet, por do bëhen disa arrnime të kodit, do shkojë Gjiknuri pastaj prapë me ata shokët e vetë, me çunat problematikë atje dhe do t’i bëjë zgjedhjet prapë siç ishin.

Damian Gjiknuri: Po pse flet kot?

Robert Rakipllari: Flas sepse ashtu është.

Damian Gjiknuri: Po lere se nuk bën as prokurorin as hetuesin.

Robert Rakipllari: Unë po flas se kam të drejtën time të flas, s’po gënjej unë, s’po them asnjë gënjeshtër. As po të akuzoj se s’jam as prokuror.

Damian Gjiknuri: Je marrë me zgjedhje ti?

Robert Rakipllari: Jam marrë, e di shumë mirë si bëhen zgjedhjet.

Reforma Zgjedhore, Bylykbashi: Preferoj sistemin mazhoritar

Përfaqësuesi i PD për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi thotë se demokratët kanë disa propozime si duhen garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bylykbashi u shpreh se opozita ka identifikuar disa probleme me zgjedhjet.

“Nuk mund të jetë zgjidhje që Partia Socialiste merr në kontroll administratën zgjedhore duke vënë militantët e saj. Ne kemi listat e zgjedhëve, sistemin e adresave, që kanë të bëjnë me mënyrën si manipulohen listat e zgjedhësve”.

Bylykbashi ka treguar edhe cilat janë disa nga propozimet e PD-së, të cilat selia blu do t’i paraqesë në tryezën e dialogut PS-PD-LSI, ku bën pjesë edhe Rudina Hajdari si përfaqësuese e opozitës parlamentare.

“Roli i policisë duhet rritur, roli i Prokurorisë duhet rritur. Brenda këtyre dy muajve do të paraqesim të gjitha propozimet tona”, theksoi ai.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziut, nëse opozita është dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh: “Unë për veten time preferoj mazhoritar. Përballem drejtpërdrejt, nuk më vjedh shoku im i listës. Nuk bëhem deputet në Facebook duke ndenjur nga shtëpia”.

Replikat në Opinion, Vasili-Hajdarit: Do pushosh apo…

Mbrëmjen e sotme në studion e “Opinion” në Tv Klan, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili është përplasur me deputeten e opozitës parlamentare Rudina Hajdari.

Ndërsa po diskutohej për tryezën e zhvilluar sot mes PS-PD-LSI për Reformën Zgjedhore, në të cilën ishte e pranishme dhe zonja Hajdari, kjo e fundit hodhi akuza mbi palët duke thënë se çdo marrëveshje politike që është bërë mes tyre ka qenë një  mashtrim për shqiptarët.

Ajo u shpreh se arsyeja që u përfshi në atë proces është për t’u siguruar transparencë shqiptarëve.

Nga ana tjetër Vasili i ka kërkuar që të ulë zërin dhe të qetësohet, duke iu drejtuar disa herë me fjalën “pusho”.

Petrit Vasili: Zonja Hajdari ka lindur nga ky sistem si mund ta monitorojë atë…

Rudina Hajdari: Pikërisht se vetëm brenda sistemit mund të ndryshosh diçka…

Petrit Vasili: Mos na bëj zhurmuesin… lere moj se s’të shkon kjo zhurmë këtu, pusho… pusho… qetësohu. Ore do pushosh apo s’do pushosh? Zonja është produkt i këtij sistemi dhe nuk mund të jetë garante…

Rudina Hajdari: Po lere se s’të pi ujë ky argument.

Petrit Vasili: Ky mision është një mision i pamundur, sepse zonja Hajdari mori një pozicion që moralisht është i papranueshëm për ne, që qënkërka vëzhguesja, ka monopolin e ndershmërisë absolute dhe vëzhgon ne tre të tjerët…

Rudina Hajdari: Kur flisni ju për moral, këtu unë e lë debatin fare.

Petrit Vasili: Një zonjë që është pjellë e këtij sistemi, nuk e ka këtë mision…

Rudina Hajdari: Unë kam qenë pjesë e PD që kur kam lindur.

Petrit Vasili: Moj po lere se kemi lindur para teje ne, po lere tashi…

Rudina Hajdari: Nuk jam nga ato ardhjet që mendon ti… /tvklan.al