Të ftuar: Spartak Koka, Artan Hoxha, Ermal Vija, Poli Hoxha dhe zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj.

Pamjet kur hetuesit kontrollojnë makinën e prokurorit Arjan Ndoj

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan janë transmetuar pamje nga kontrolli i grupit hetimor në automjetin e prokurorit Arjan Ndoj, të cilit iu bë atentat më 1 Nëntor në mbikalimin e Shkozetit në Durrës.

Në automjet me të kanë qenë shoferi i prokurorit Andi Maloku dhe miku i tij Pëllumb Muharremi i njohur edhe si “Rumi”.

Në pamjet e transmetuara në Opinion, duken momentet kur hetuesit po kontrollojnë makinën e prokurorit Ndoja, në bagazhin e të cilës gjetën disa dosje të rëndësishme hetimore.

Ndërkohë, të hënën policia ka ndaluar me urdhër të prokurorëve të krimeve të rënda, Redjan Rrajën si një nga të dyshuarit të përfshirë në atentat. 

Zv/ministri sqaron ndalimin e Rrajës: Me urdhër prokurori

Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, deklaroi këtë të martë se në ditët në vijim pritet që të qartësohet roli i Redjan Rrajës, personit të ndaluar në lidhje me atentatin ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, Hodaj tha se rezultatet që ka prodhuar deri më tani hetimi ndaj këtij rasti është premtues. Hodaj sqaroi se Rraja është ndaluar me urdhër prokurori, çka tregon se ka prova mjaftueshëm që kanë çuar deri në ndalimin e tij.

Julian Hodaj: Ajo që policia ka deklaruar pak a shumë që është një personat e përfshirë. Roli mbetet akoma për t’u qartësuar dhe do të qartësohet besoj në ditët në vijim. Ka një grup prokurorësh që udhëheqin hetimin. Pas 3 ditësh doja të thoja që rezultatet janë deri diku premtuese duke pasur parasysh ecurinë e hetimeve në raste të ngjashme kalon edhe më shumë kohë para se të ketë një rezultat konkret. Ajo që thotë policia thotë që në rastin konkret kemi një nga autorët e përfshirë.

Blendi Fevziu: Policia është e bindur që ky është një nga autorët?

Julian Hodaj: Policia është e bindur se përndryshe nuk do e kishte bërë ndalimin.

Blendi Feziu: Mbi bazën e provave shkencore?

Julian Hodaj: Mbi bazën e provave shkencore. Të sqarojmë diçka se thatë që bëhet fjalë për arrestim. Nuk bëhet fjalë për arrestim, bëhet fjalë për një ndalim me urdhër prokurori dhe do të vlerësohet më pas në gjykatë dhe eventualisht do të kërkohet një masë sigurie. Fakti që prokurori lëshon një urdhër ndalimi pra nuk është me iniciativë do të thotë që ka prova shkencore mjaftueshëm dhe bindëse që është i përfshirë. Provë shkencore është gjithçka që provohet shkencërisht. Mund të jetë një dokument, një foto, një filmim, një gjurmë gishti, ADN-ja. Brenda 48 orësh prokurori paraqet kërkesën për vlerësimin e masës, gjykata ka 48 orë në dispozicion për të vlerësuar masë e sigurisë.

Gazetari Koka: Redjan Rrajës iu gjet gjurmë gishti në makinë, ADN-ja e maskave do provojë nëse ishte qitës

Gazetari i Tv Klan Spartak Koka informon se Redjan Rraja që është ndaluar si një nga atentatorët e dyshuar ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremit, theksoi se prova e deritanishme që mban të ndaluar Redjan Rrajën, është gjurma e gishtit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Koka theksoi se përgjigjia e analizave biologjike nga laboratori shkencor për mostrat e ADN-së të gjetura në maskat e autorëve, do të provojë nëse 34-vjeçari Rraja ishte qitës.

“I është gjetur një gjurmë gishti në pjesën e pasme të automjetit, e cila provon lidhjen e këtij personi me automjetin. Gjurmët e gishtit janë dokumentuar pas arrestimit të tij në datën 1 Maj 2016 si i akuzuar për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës në ngjarjen ku u vra Elton Çiço. Ai është arrestuar ditën e djeshme në doganën e Hanit të Hotit në tentativë për të kaluar. Ka patur një urdhër kërkimi policor në të gjitha pikat kufitare. Ai ka pretenduar se po shkonte drejt Italisë dhe është sjellë në Tiranë. Në deklarimin e parë ai ka thënë që s’ka lidhje me ngjarjen dhe me vrasjen. Por ajo që është e rëndësishme është fakti i gjurmës së gishtit. Ajo që është e rëndësishme për ta lidhur Redjan Rrajën si një prej atentatorëve, janë provat biologjike që janë gjetur tek maska. Automjeti është vjedhur në qytetin e Kamzës muaj më parë. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me pronat por të jetë bërë si hakmarrje e një ngjarje të ndodhur gjatë këtij viti në qytetin e Durrës në fillim të këtij viti”.

Spartak Koka bëri me dije se grupi hetimor ka identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

“Dyshimet për të cilat po punohet janë dhe dy persona të tjerë të identifikuar dhe ne rezervohemi që mos të prishim hetimin”. 

“Ulte kokën kur i flisje”, gazetari: Si u transformua Redjan Rraja

“Deri në vitin 2005 ulte kokën kur i flisje”. Kështu ka deklaruar këtë të martë, gazetari Poli Hoxha për Redjan Rrajën, personin e ndaluar pasi dyshohet se është i përfshirë në atentatin ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, gazetari tregoi se Redjan Rraja deri në 2005 ka punuar për një rrogë të thjesht për një laborant turk në Fushë-Krujë. Transformimi i tij, por edhe i fisit Rraja, sipas gazetarit ka ndodhur në vitin 2005, atëherë kur u zgjodh deputet Rrahman Rraja.  

“Fakt është që çunat e asaj zone atje marrin përsipër ngjarje në gjithë Shqipërinë. Atje është kthyer në një offshore dhe janë gati të paprekshëm nga asgjë, edhe nga kontrollet. Unë sot kam biseduar me një mikun e Redjanit. Redjani ka qenë një djalë që deri në vitin 2005 kur i flisje ulte kokën. Ka vazhduar në një universitet privat për stomatologji. Është martuar shpejt. Dhe nusen e ka stomatologe. Ka punuar deri në vitin 2005 si ndihmës për 200-250 mijë lekë të vjetra për një laborant turk në Fushë-Krujë. Redi i thërrasin shkurt. Nga Redi kaloi në “Dara”. Në 2005-ën çfarë ndodhi? Në fisin Rraja ndodhi një transformim. Kur u bë deputet Rrahman Rraja ata u transformuan dhe siç e thotë Emiljano Nuhu ata janë ligji aty, ata në fakt nga 2005-a kanë qenë ligji. Ky djalë i mirë që 21 vjeç dhe atë periudhë e kishte ndarë mendjen të shkonte në Kanada papritur u transformua. Ai ka ambiente biznesi në Tiranë me shifra shumë të mëdha. Nikla është ndërlidhëse me Durrësin për drogën e Veriut për portin e Durrësit dhe andej”, tha Poli Hoxha.

Pyetja e gazetarit që vendosi në vështirësi zv/ministrin e Brendshëm

Detajet e reja për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj e Pëllumb Muharremit si dhe arrestimi i Redjan Rrajës si një nga autorët e dyshuar, janë diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Gazetari Spartak Koka ka pyetur zv/ministrin e Brendshëm Julian Hodaj nëse policia ka referuar materiale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj përpara atentatit të 1 Nëntorit, meqënëse ishte anatemuar nga Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në studio, zv/ministri Hodaj as nuk e pohoi, por as nuk e mohoi një fakt të tillë.

Gazetari Spartak Koka: Z.Hodaj, në dijeninë tuaj, policia ka referuar ndonjë material në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndaj Arjan Ndoj dhe pjesëtarëve të tjerë të dyshuar që ka informacion Kryeministri për hetime në kuadrin e organizatës kriminale para ngjarjes? Keni dijeni? Sepse në një studio tjetër, zv/ministri tjetër la të kuptohej se materiale janë dërguar për këtë gjë.

Zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj: As do ta konfirmoj një gjë të tillë sa koha nuk jam në dijeni të çështjes konkrete. Edhe ta përjashtoj nuk e di për çfarë detajesh flasim tamam. Kryeministri thotë ka një grup prokurorësh që po sillen përtej ligjit, ka një situatë shqetësuese për momentin sepse në pritje të Vettingut po mundohen realisht të bëjnë ç’mund të bëjnë sa t’ju vijë radha.

Gazetari Spartak Koka: A është referuar ndonjë material në Prokurorinë e Krimeve të Rënda? Ka informacione dhe zv/ministri tjetër i Brendshëm deklaroi që materialet për çka ka deklaruar Kryeministri janë referuar të marra kryesisht nga deklarat publike. A është i vërtetë lajmi dhe të presim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda a është i vërtetë ky informacion.

Disa javë përpara atentatit, Kryeministri Edi Rama kishte akuzuar prokurorin e Durrësit Arjan Ndoj si person që ka lidhje me grupet kriminale dhe e kishte përfshirë në grupimin që kreu i qeverisë e konsideron “KÇK”, “Kap ç’a të kapësh”.

“Po ta bën që të përgatitesh me shkrim”, pyetja e Hoxhës për Artan Lamen: Sa drejtorë…

Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, paralajmëroi se të mërkurën do të jetë i ftuar drejtori i Hipotekës, Artan Lame.

Fevziu theksoi se ai do të flasë për problematikat në lidhje me pronat në bregdet duke marrë shkas pas atentatit ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja.

Por gazetari Artan Hoxha, i cili ishte i ftuar këtë të martë në emision, i kërkoi Blendi Fevziut që t’i drejtojë një pyetje Lames ditën e nesërme.

Artan Hoxha: Ta them një pyetje që do i bësh se nuk do jem nesër.

Blendi Fevziu: Do ta bësh pyetjen? Bëja se ja përsëris unë nesër. Lame dëgjoje se po ta bën që sot që të përgatitesh me shkrim.

Artan Hoxha: Pyetja që do i bësh nesër është sa drejtorë të Aluiznit dhe Hipotekës, se janë bërë bashkë, janë marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit dhe në cilët qytete të republikës.

Blendi Fevziu: Në rregull, e bëre pyetjen e do ta bëj dhe unë. /tvklan.al