Të ftuar në Opinion: Artan Hoxha dhe Pëllumb Pipero. Në lidhje direkte: Kryeministri Edi Rama, Majlinda Bregu dhe Baton Haxhiu.

Rama: Të gjithë ata që kanë pezulluar punën do paguhen, kush ka qenë në të zezë…

Në një lidhje direkte me “Opinion” , kryeministri Edi Rama ka sqaruar pikat e planit financiar për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi në vendin tonë të shpallura sot.

Sa i takon pagave që do të vazhdojnë të marrin punonjësit e kompanive të ndryshme që janë detyruar të pezullojnë punën për shkak të koronavirusit, do të paguhen të gjithë me rrogën e plotë të munguar.

Rama ka thënë se për personat që kanë punuar në të zezë, të denoncojnë pronarin, e më pas qeveria do ta detyrojë këtë të fundit që t’i regjistrojë, duke pasur kështu mundësi që të kompensohen.

Rama: Nëse aktiviteti është i hapur dhe nuk shkojnë në punë, nuk do të kompensohen

Duke sqaruar pikat e planit financiar që u shpall sot për të përballuar situatën e shkaktuar nga Covid-19, kryeministri Edi Rama tregoi sesi do të bëhet kompensimi i rrogave të punonjësve që kanë pezulluar punën.

Ai tha se të gjithë do të paguhen aq sa i kanë pasur rrogat e munguara. Por ai ka sqaruar se për ata punonjës të cilëve u është hapur aktiviteti i punës ku kanë qenë dhe nuk shkojnë, nuk do të kompensohen.

“Nëse aktiviteti është hapur dhe punonjësit nuk shkojnë në punë, nuk kanë kompensim”. 

A jemi të sigurt që nuk do mungojë ushqimi? Përgjigjet Rama

I pyetur nga Blendi Fevziu se a duhet të shqetësohet Shqipëria për mungesë ushqimesh në ditët apo kohët në vijim, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka asnjë arsye për frikë apo shqetësim.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, Rama tha se nuk ka asnjë shqetësim për zinxhirin ushqimor në vend.

“Nuk ka asnjë arsye që të mungojë furnizimi, sot kompanitë, sipërmarrje shqiptare që merren me furnizime me ushqime, kanë më shumë sesa ç’kishin para se të fillonte lufta. Po importojnë më shumë, ka kompani që po kërkojnë leje për magazina të reja”. 

“Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, Rama: Qytetarët të paguajnë dritat dhe ujin gjatë karantinimit

Kreu i qeverisë Edi Rama ka sqaruar se të gjithë qytetarët të cilën janë në izolim gjatë kësaj periudhe të vështirë të shkaktuar nga Covid-19, do duhet të paguajnë energjinë elektrike muaj për muaj.

Ai sqaron se nuk është bërë falje kamate për muajt që do të vijnë, por për ato që kanë kaluar, për biznesin e vogël dhe për familjarët.

Ndërkaq sa i takon kompanive telefonike, Rama tha se janë duke punuar dhe shumë shpejt pritet që të ketë një vendim edhe për këtë, për të lehtësuar qytetarët gjatë periudhës së karantinës.

“Nëse do ‘përmbyset’ bota, ne kemi garantuar planin C me Turqinë”

Kjo për rastin kur Shqipërisë do t’i duhej të vendoste në zbatim një plan C dhe nëse do të duhej të kërkonte ndihmë, kur asnjë shtet tjetër nuk do të përgjigjej.

“Ia vlen të sakrifikojmë ekonominë për 3 mijë viktima?” Rama: Është amorale të hyjmë në këtë debat

Ndërkaq në fund të intervistës, Blendi Fevziu i ka bërë një pyetje që qarkullon në rrjet, një pyetje që e ka cilësuar që në fillim se është shumë cinike dhe e rëndë.

Blendi Fevziu: Zoti kryeministër po ju bëj pyetjen më cinike të mundshme, që vetë nuk e pranoj, por që qarkullon në rrjetet sociale… Ka njerëz që thonë për një numër personash që mund të humbin jetën, 3 mijë persona, a mund të sakrifikohet e ardhmja ekonomike e 3 milionë të tjerëve?! E di, është shumë cinike, por qarkullon…

Edi Rama: Çfarë të them unë tani?! Këtë bast nuk e ka vënë askush, edhe Presidenti i Amerikës që shquhet për baste që tronditin botën, nuk e ka vënë këtë bast.

Edhe kryeministri i Anglisë tani ka thënë dhe më duhet se e ka bërë sot a nesër, që do rrethojë Londrën me forca ushtarake…

Kështu që është proces ku gjithçka mund të ndodhë, mund të vijë dita që natyra njerëzore mund te rebelohej dhe të thonin që ‘ore ne nuk do vdesim të gjithë se do na vdesin ca njerëz’, por edhe kjo do të ishte një e re në historinë e njerëzimit.

Kështu që jemi në një luftë të re botërore, jo siç e kishin planifikuar ata që e çojnë buxhetin për bomba, dhe bombat ju kanë mbetur nëpër depo.

Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që natyra njerëzore të thotë hajde ta ndajmë kush do jetojë e kush do vdesë në mënyrë konsensuale…

Mbase do vijë dhe kjo kohë, nuk e di, unë besoj se është amorale që të hyjmë në këtë debat… ju më paralajmëruar”.

Mjeku: Shifrat janë reale, por numri i të infektuarve mund të jetë 10 herë më i madh

Mjeku Pëllumb Pipero u shpreh mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” se shifra e të infektuarve të konfirmuar me Covid-19 në vendin tonë, mendohet se është me e lartë se 64 (shifër kjo deri më 19 Mars).

Pipero thotë se epidemia është si pamja e ajsbergut dhe se shohim vetëm majën.

“Epidemia ka formën e ajsbergut, majën i shohim akoma, ne mund të evidentojmë ata persona që kanë ankesa apo kanë kontakt me të infektuarit. Numri i të infektuarve mendoj se është më i madh. Të paktën 10 herë më i madh, pra duhet të kemi 650 të infektuar, pavarësisht se ata mund të mos kenë asnjë shenjë. Por në rast se ata nuk zbatojnë këshillat dhe urdhrat e izolimit, janë burim infektimi për të tjerët. Ndaj u lutemi që të rrinë në shtëpi”. /tvklan.al