#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Enita Mema, Sokol Nako, Preç Zogaj, Avenir Peka, Mentor Beqa

Në lidhje direkte: Meri Kumbe – Ambasadore e Shqipërisë në Izrael

“3 m² dhe totalisht e blinduar”, Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael përshkruan dhomën e sigurisë brenda banesës së saj

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe ka folur mbrëmjen e sotme përmes një lidhjeje Skype për “Opinion” në Tv Klan.


E ndodhur në rezidencën e saj në Izrael, ajo shpjegoi se thuajse të gjitha banesat e ndërtuara në Izrael pas vitit 1994 kanë një dhomë sigurie e cila shërben për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore.

Kjo dhomë sipas Kumbes është totalisht e blinduar dhe është rreth 3 metra katrorë.

-Jeni në zyrë?

Meri Kumbe: Jo, jam në banesë.

-Ka mbrojtje ajrore banesa?

Meri Kumbe: Po kam pikërisht këtu në të majtën time është dhoma e sigurisë dhe uroj që të mos ndodhë, por nëse do ketë alarm do duhet patjetër që të tërhiqem dhe të futem në atë dhomë.

Çdo banesë ka dhomë sigurie?

Meri Kumbe: Kryesisht banesat e ndërtuara pas vitit ’94 kanë dhoma sigurie brenda. Janë dhoma pa dritare, me beton komplet dhe kanë një derë karakteristike të blinduar. Ato dhoma që kanë dritare, dhe dritaret janë po ashtu të blinduara, si dritarja dhe grila dhe zakonisht janë pa xham. Supozohet që nga tronditjet të limitohet mundësia për t’u dëmtuar qytetarët.

-Sa e madhe është dhoma?

Meri Kumbe: Është rreth 2 metra e gjysmë ose 3 metra katrorë, është e vogël…

-Pra si strehimet kundër sulmeve ajrore.

Meri Kumbe: Pallatet e vjetra kanë bunkerët klasikë siç i kemi patur ne ndërtimet e vjetra të komunizmit që zbresin poshtë dhe futesh nën tokë. Ndërkohë që këto dhoma janë më komode sepse je në shtëpi dhe kryesisht gjatë natës, e sidomos kur familja ka fëmijë të vegjël, mesatarisht izraelitët kanë nga 3 fëmijë.

Dy shqiptarë me fëmijë të vegjël në Gaza, ambasadorja Kumbe: Dalja e tyre mund të bëhet vetëm nga Egjipti

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka bërë të ditur se në Rripin e Gazës ka aktualisht disa shqiptarë.

Ajo u shpreh se është zbuluar se atje janë vëlla e motër me pasaportë shqiptare.

Po ashtu, ajo theksoi se ata kanë fëmijë të mitur që sipas ligjeve tona konsiderohen fëmijë shqiptarë.

Ambasadorja Kumbe bëri me dije se ata janë në kontakt me ambasadën shqiptare në Egjipt, janë bërë procedurat e nevojshme dhe janë në pritje të udhëzimeve.


Blendi Fevziu: Ka shqiptarë në Gaza?

Ambasadorja Meri Kumbe: Kemi dy raste të raportuara, qytetarë me pasaportë shqiptare të cilët fatkeqësisht zbuluam për shkak të luftës që ekzistonin, nuk e dinim më përpara dhe të cilët të dy qytetarët janë motër e vëlla, kanë fëmijë të mitur, që automatikisht për ligjet e shtetit shqiptar konsiderohen fëmijë shqiptarë.

Blendi Fevziu: I keni kontaktuar apo nuk keni arritur t’i kontaktoni?

Ambasadorja Meri Kumbe: Po, janë në kontakt me ambasadën shqiptare në Egjipt. Kemi bërë procedurat e nevojshme dhe jemi në pritje të udhëzimeve që do të vijnë. Ky është një problem që i ka lindur të gjitha shteteve. Jemi në koordinim të gjitha strukturat dhe vendet me njëra tjetrën për të parë mundësitë dhe si do të realizohet konkretisht.

Kumbe bëri me dije se pika e kalimit me Izraelit është e pamundur dhe dalja e tyre mund të bëhet vetëm nëpërmjet Egjiptit.

Sipas saj, do të ketë një koordinim ndërkombëtar mes shumë shteteve përfshirë dhe vendet e OKB-së që do të përfshihen në të njëjtin korridor kalimi.

“Operacionet po bëhen pa anestezi”, gazetarja: Kushtet në Gaza, të tmerrshme

Situata në Gaza është katastrofike. Kështu u shpreh këtë të mërkurë gazetarja Enita Mema duke folur në “Opinion” mbi lajmet më të fundit për luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Gazetarja u shpreh se Izraeli ka dhënë dakordësinë e saj pas kërkesës së presidentit amerikan Joe Biden dhe OKB-së për ndihmat humanitare.


Sipas saj, operacionet në Gaza janë duke u kryer pa anestezi duke treguar në këtë mënyrë kushtet e tmerrshme në të cilën ndodhen në Gaza.

“U kërkua edhe nga OKB dhe nga Presidenti Biden, ndihmat humanitare të kalohen. Izraeli dha OK e tij. Domethënë që të pranohen të çohen ndihmat bazë, për ushqim aty në Gaza sepse njerëzit po vdesin. Operacionet po bëhen pa anestezi, kushtet janë të tmerrshme, kështu që situata është katastrofike”, u shpreh Mema.

Sulmi në spitalin e Gazës? Eksperti: Predha ra në një parkim, aty ka pasur depozita gazi…

Eksperti për Çështjet e Sigurisë, Avenir Peka ka folur sonte në studion e “Opinion” për konfliktin në Izrael, e veçanërisht për sulmin më të fundit ajror që raportohet se ka shkaktuar qindra viktima.


Sipas Pekës, ka shumë elementë për rastin që mbeten ende për t’u saktësuar, që nga numri i viktimave e deri te madhësia e predhës.

Avenir Peka: Ajo që duket deri tani është se ka disa elementë që vijnë duke u saktësuar me kalimin e kohës. Së pari, predha nuk ka rënë në ndërtesën e spitalit, por ka rënë në një parkim. Së dyti, në fillim u fol për një mijë viktima pastaj numri ra në 500, nuk ka një numër zyrtar të saktë të viktimave. Së treti, shenja që ka lënë predha në tokë është 30 cm, që do të thotë që predha që ka rënë është e vogël.

-Po si mund të vrasë një predhë në parkim 500 veta?

Avenir Peka: Ajo çfarë ka ndodhur me shumë gjasë…aty ka pasur depozita gazi. Afër…se po të shikosh edhe shenjat e makinave janë djegie nga zjarri nuk janë shkatërrime nga impakti i fortë. Ndikimi që ka sjellë është jashtëzakonisht i madh, ndikim në opinionin publik. Izraelin e kanë vënë para një pozite jashtëzakonisht të vështirë dhe i duhet për t’u sqaruar. Arabia Saudite ishte shumë e nxituar dhe shumë e ashpër ndaj Izraelit. Ka disa elementë që momentin e aktit e bëjnë të dyshimtë.

Fevziu: Në Gaza nuk kishte asnjë fije bari, kur kam qenë unë nuk më lanë të paguaja asnjë Lekë

Gaza është në epiqendër të lajmeve botërore pas luftës që po zhvillohet mes Izraelit dhe Hamasit. Edhe këtë të mërkurë, në emisionin “Opinion” u fol pikërisht për këtë konflikt.

Gazetari Blendi Fevziu tregoi disa detaje nga Gaza pasi ka qenë vetë aty. Ai u shpreh se Rripi i Gazës është një fjetore e madhe urbane ku jetojnë rreth 2 milionë njerëz në kushte skandaloze.

Ai u shpreh se Gaza ishte një prej vendeve që nuk kishte asnjë fije bari. Të vetmet gjë që dallon atje, sipas tij, janë kafenetë e vogla. Fevziu tregoi se asnjë prej tyre nuk e lanë të paguante gjë pasi vetë palestinezët ndiheshin mirë në praninë e të huajve.


“Një territor, nuk di të them, nga këtu e deri në Elbasan nga të dyja anët e rrugës që mban brenda ditës rreth 2 milionë… Zoti e di sa janë tamam… Rreth 2 milionë njerëz që jetojnë në kushte skandaloze. Mund të jetë një prej vendeve që nuk kishte asnjë fije bar. Kur them asnjë fije bar, asnjë fije bar. Të gjitha ndërtimet janë që duken si ndërtimet ilegale tonat në kaos, në sisteme nga më të çuditshme, disa të ndërtuara me tulla betoni, disa me tulla të bardha, disa me tulla të kuqe.  Është një fjetore e madhe urbane. Të vetmet gjë janë kafenetë e vogla, kur edhe kur kam qenë unë s’më lanë të paguaja asnjë lek. Ishte e çuditshme nga mikpritja dhe mënyra sa mirë u ndjenë nga prania e të huajve”, tha Fevziu.

Pse ekzistojnë dyshimet se Irani ka ‘gisht’ në sulmin e 7 Tetorit në Gaza

Eksperti i Çështjeve të Sigurisë Avenir Peka ka folur sonte në “Opinion” për sulmin e 7 Tetorit në Rripin e Gazës si dhe ngjarjet pasuese.


Ai thotë se ky sulm nuk i shërben palestinezëve, Hamasit apo Izraelit, dhe kjo gjë shton dyshimet se një forcë e tretë mund ta ketë shkaktuar. Peka thotë se Irani është shteti ‘që mund të ketë gisht’, kjo për shkak të qasjes së tij ndaj Izraelit.

“Vijmë tek arsyet hipotetike të gjithë kësaj historie që ka ndodhur. Ka disa elementë që momentin e aktit e bëjnë të dyshimtë sepse në verën e këtij viti, me ndërmjetësimin e Kinës, Arabia Saudite me Iranin i rivendosën marrëdhëniet diplomatike ndërkohë që administrata e Presidentit Biden nisi negociatat mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, negociatat kishin avancuar shumë dhe shkonin në linjën e suksesit të Biden. Rivendosja e raporteve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Izraelit do ndryshonte terësisht fytyrën e Lindjes së Mesme, sepse Arabia Saudite ka një vend të veçantë fetar, edhe ekonomik, edhe politik. Gjë që të lë të mendosh se faktorë të tjerë të jashtëm kanë ndikuar, ose kanë pasur gisht në kët akt sepse po ta shikosh është terësisht i pasens, po ta shikosh nuk është as në shërbim të palestinezëve, as në shërbim të Hamasit, as në shërbim të…Besohet që ka një forcë të tretë, që mendohet se është Irani sepse ka interes nga kjo çfarë po ndodh”, tha Peka.

Beqa: Kryeministri i parë i Palestinës ishte shqiptar

Pedagogu Mentor Beqa ka treguar një detaj interesant në studion e “Opinion” këtë të mërkurë.

Ai u shpreh se qeveria e parë palestineze ka pasur një kryeministër shqiptar. Beqa bëri me dije se ai ka qenë Al-Arnauti, një personalitet i famshëm i botës post-osmane.


“Vetëm një kuriozitet. Qeveria e parë palestineze ka qenë e vendosur në Gaza dhe kryeministri i saj ka qenë një shqiptar, Al-Arnauti, një personalitet i famshëm i botës post-osmane. Ka qenë ministër Financash i Jordanisë për një periudhë të gjatë dhe pastaj në moment që shpalli pavarësinë shteti i Izraelit, Liga Arabe krijoi shtetin e Palestinës, dhe kryeministri i parë i saj ka qenë në fakt një shqiptar”, tha Beqa.

Më 9 Korrik 1948, pasi Izraeli shpalli pavarësinë, Liga Arabe vendosi Këshillin Administrativ për Palestinën, që drejtohej nga Al Arnauti, emri i vërtetë i të cilit ishte Ahmet Hilmi Abd al-Baqi.

Më 22 Shtator të atij viti, Asambleja Kombëtare u vendos në Gaza ku President ishte Amin al-Husayni, ndërsa Al-Arnauti kryeministër./tvklan.al