#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Në pjesën e parë emisioni “Opinion” në Tv Klan iu referohet zgjedhjeve të 11 Majit. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i ftuar në zgjedhje tregon se si do të votojnë shqiptarët dhe si do të votojnë emigrantët. Celibashi tregon për publikun të gjitha hapat që do të ndjekin shqiptarët e diasporën në procesin e votimit jashtë kufijve të Shqipërisë, duke nisur që nga fleta e votimi, dërgimi me postë dhe shumë të tjera.

Të ftuar: Esiona Konomi, Eni Ferhati, Ilirjan Celibashi

Fevziu habitet me fletën e votimit të Tiranës: Nga emri i parë te i fundit bëhet hyrje romani

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi e habiti jo pak Blendi Fevziun këtë të martë. Ai solli në studio fletën e votimit të Tiranës, i cili përmban jo pak, por mbi 500 emra kur kryeqytetasit t’i drejtohen kutive të më 11 Maj.

“Shih sa është”, tha Fevziu.

Gazetari nuk ngurroi aspak që t’ua tregonte edhe publikut në studio. Por pavarësisht listës së gjatë, një prej zotërinjve në publik tha se e ka vendosur që përpara se për kë do votojë, kështu që e ka të qartë numrin se ku do të shkojë.

Blendi Fevziu: Epo gjeje ku e ke vendosur?

Qytetari në publik: Epo sekret!

Situata krijoi të qeshura në studio.

Edhe qytetarë të tjerë në publik thanë se e kanë ndarë mendjen se kë do votojnë dhe duket se ditën e zgjedhjeve nuk do ta lexojnë të gjithë fletën.

“Vë bast se 10% e shqiptarëve nuk kanë lexuar kaq shumë në jetën e tyre. Nga emri i parë te i fundit bëhet një hyrje romani”, tha Fevziu.

“Mendoj se në këto zgjedhje është strukturuar më mirë si fletë votimi dhe informacioni është paraqitur në mënyrë më të qartë krahasuar me zgjedhjet e 2021. Për votuesit besoj se do të jetë më e lehtë”, tha Celibashi nga ana tjetër.

Kujtojmë se shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 11 Maj për të zgjedhur parlamentin në 4 vitet e ardhshme. Ndërkohë për herë të parë kanë nisur të votojnë edhe nga diaspora.

“O partinë, o kandidatin”/ Fleta voluminoze krijon konfuzion, ja si të votoni më 11 Maj

Për të gjithë ju që keni paqartësi sa i takon mënyrës si duhet të votoni më 11 Maj, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i shpjegoi në detaje të gjithë hapat sonte në studion e “Opinion”. Fleta e votimit është tejet voluminoze, kështu që mund të krijohet konfuzion. Ne do të shkruajmë shkurtimisht për ju pikat kyçe që duhet të keni parasysh.

• Së pari, ka dy mënyra votimi: Për partinë ose koalicionin e partive! Pra, ti mund të votosh vetëm subjektin politik dhe të mos vësh kryq tek emri i një kandidati. Po ashtu e anasjellta, mund të çosh votën për një kandidat edhe pa zgjedhur parti politike.

Kujdes! Edhe nëse vini dy kryqe, fleta e votimit është përsëri e vlefshme.

• Por nëse voton një parti, edhe kandidati duhet t’i përkasë po asaj partie. Në rast të kundërt, vota juaj nuk vlen! (Përshembull nëse ju votoni një parti, por edhe kandidatin e një partie tjetër)

“Do duhet të zgjedhë, o partinë o kandidatin! Nëse voton vetëm kandidatin, vota i shkon edhe partisë”, theksoi Celibashi.

• Në fletë votimi janë edhe emrat e ‘garuesve’ në listë të mbyllur. Nëse vë kryqin tek njëri prej emrave tek kjo listë, fleta e votimit nuk “del jashtë loje”, por ama nuk ka sens! Vota juaj s’ka vlerë në këtë rast.

• Renditja e kandidatëve për deputet bëhet në bazë të votave më pas, për marrjen e mandateve. Megjithatë respektohet rregulli që kandidati i tretë në çdo listë duhet të jetë grua.

Më 11 Maj shqiptarët zgjedhin qeverinë e re, Celibashi: Rezultati pa u mbyllur e marta

Mëngjesin e së dielës së 11 Majit qytetarët shqiptarë do u drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe për të formuar kështu qeverinë e re, e cila do të jetë në pushtet për një mandat 4-vjeçar.

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, kësaj here të gjithë shqiptarët e diasporës që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë do të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, nga shteti ku jetojnë. Ndërkohë shpërndarja e fletëve të votimit ka nisur.

Duke u përqendruar pikërisht tek zgjedhjet e 11 Majit nga emisioni “Opinion” në Tv Klan, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi sqaroi për publikun se si do të zhvillohet procesi i votimit. Në studio ai soli gjithashtu dhe një shembull të fletës së votimit. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, Celibashi tregoi se kur mund të jetë gati rezultati për partitë politike dhe kandidatët e listave të hapura.

Blendi Fevziu: Kur mendoni ju zoti Celibashi që ne do të kemi një rezultat të zgjedhjeve?

Ilirjan Celibashi: Besoj se pa u mbyllur dita e martë do të kemi rezultatet si për partitë politike ashtu edhe për shpërndarjen e mandateve për kandidatët në listën e hapur.

Blendi Fevziu: Duke u mbyllur dita e martë, që i bie rreth 48 orë pas mbylljes së momentit të votimit.

Ilirjan Celibashi: Do përpiqemi që të jemi brenda parashikimeve të ligjit. E kemi bërë dhe në vitin 2021, që edhe rezultatet për partitë politike dhe koalicionet, por edhe kandidatët në listën e hapur t’i kishim rezultatet.

Blendi Fevziu: Ku do ketë votim elektronik?

Ilirjan Celibashi: Do ketë vetëm në njësinë 10 në Tiranë dhe në Bashkinë e Vorës. Është një projekt pilot në fakt.

Blendi Fevziu: Ngelët vetëm në Vorë edhe herës që kaloi në Vorë, pse nuk e bëni në të gjithë Tiranë dhe të hiqni gjithë sikletin.

Ilirjan Celibashi: E kemi diskutuar me partitë politike dhe akoma nuk ka një besim, ka hezitim.

“Me muskuj, tatuazhe dhe 30 gjyshe me vete”, çfarë bëjnë bandat gjatë fushatës

2 orë më parë në aksin rrugor Fier-Patos raportohet një incident mes hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Forcave Operacionale dhe mbështetësve të ish-kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Ende nuk dihet motivi, megjithatë dyshohet se ka të bëjë me fushatën zgjedhore.

Gazetari Eni Ferhati foli sonte në “Opinion” për strategjinë e SPAK që të jetë prezente në çdo qark bashkë me agjentët e BKH-së, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i rregullt.

Po sa aktive janë bandat gjatë fushatës zgjedhore në vend?

Eni Ferhati: Një nga arsyet që SPAK është vënë në lëvizje është pikërisht kjo. Vitet e kaluara kemi parë eskortë me mjete të blinduara, sidomos në Shkodër, duke shkuar në qendra votimi sikur të ishin komisionerë të OSBE/ODIHR-it.

-Besoj SPAK, Prokuroria e Policia i dinë personat…

Eni Ferhati: Ama edhe këta do të frenohen tashmë. Të paktën besoj që nuk do kemi ato pamje. Unë kam parë se si te dera e qendrës së votimit qëndrojnë persona që kanosin zgjedhësit. Automatikisht do të akuzohen për kanosje. Në vetvete është krim në tiparet e grupit të strukturuar.

Esiona Konomi: Elementi i shtuar në këto zgjedhje, kanosja e njerëzve në qendrat e votimit.

-Pra janë 3 format: blerja, dhuna apo joshja…

Esiona Konomi: Ajo që kemi parë zakonisht në zgjedhje është që ka rastësisht ca njerëz me muskuj, shumë tatuazhe dhe që kanë nja 30 gjyshe për të asistuar te qendra e votimit. Pra, marrin të gjithë të moshuarit dhe votojnë për ta. Një fenomen që është parë në mënyrë të shpeshtë, kemi parë edhe në Rrogozhinë së fundmi.