#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

“Po gjuajnë lirshëm për derra”, Hakorja analizon SPAK: Është e frikshme si…

I ftuar këtë të Hënë në “Opinion” në Tv Klan, gazetari Fatos Hakorja foli për shkallën e korrupsionit në vend dhe se sa po e lufton drejtësia e re këtë fenomen. Ai u shpreh se ndryshe nga vite më parë, drejtësia po pastron vetveten.

“Listë e gjatë është realiteti i ri. Ajo që dijmë ne, e kemi patur në 33 vite post-komunizëm pyllin e korrupsionit te dera, në administratë dhe kemi patur një armatë prokurorësh të cilët e kanë luftuar korrupsionin. Sot e kemi pyllin e korrupsionit po njësoj, ose në përmasa më të mëdha ose të vogla, ngelet për ta diskutuar. Por kemi një armatë gjuetarësh të stërvitur, të trajnuar, të pavarur, të mbrojtur, jo të sulmuar politikisht të cilët në këtë pyll po gjuajnë lirshëm për derra. Nëse më parë kemi pasur një armatë që ishte vetë e korruptuar, për këtë arsye u bë reforma në drejtësi…Sot kemi një drejtësi e cila po e pastron vetveten dhe kjo drejtësi do e luftojë korrupsionin kur e sheh në oborrin e shtëpisë së saj apo në pyllin përballë shtëpisë së vet. Pra ky është realiteti i ri që po shohim.”

Hakorja theksoi se qeveria është distancuar nga personat e kapur e nga ana tjetër SPAK po “hyn zyrë më zyrë”.

Ai preku dhe një pikë të rëndësishme sa i takon bashkëpunimit të munguar nga institucionet për Strukturën Anti-Korrupsion.

“Në asnjë nga këto raste nuk është denoncuar nga administrata, as nga mekanizmat që funksionojnë në administratën shtetërore, nga Zyra e AntiKorrupsionit. KLSH është i vetmi institucion që vijon referon. SPAK nuk ka asnjë denoncim nga doganat, nga tatimet për korrupsion dhe kjo është e frikshme.”

Sipas gazetarit, një risi që ka sjellë SPAK është përgjimi i zyrtarëve të lartë apo zbërthimi i skemave të korrupsionit.

“Polici vrau një fëmijë në rrugë dhe ministri dha dorëheqjen”, Ndreca: Ky është standard personal

Shumë zyrtarë të lartë në vendin tonë kanë përfunduar pas hekurave ose janë hetuar për çështje korrupsioni. Pikërisht ky fenomen që ka kapur nivele të larta, ishte tema e emisionit të sotëm të “Opinion”.

Sipas deputetit socialist Plarent Ndreca, një titullar ka përgjegjësi politike e morale vetëm atëherë kur vartësit e tij kryejnë një vepër penale lidhur me produktin për të cilin janë në detyrë. Në raste të tjera, ai theksoi se varet nga standardi personal.

Blendi Fevziu: A ka përgjegjësi emërimi, zgjedhja e tyre, mbrojtja që u bëhet këtyre njerëzve në fillim të akuzave sepse nuk është vetëm një rast?

Plarent Ndreca: Shumica e administratës emërohet përmes një ligji të posaçëm. Mendoj se përgjegjësi politike ti ke kur ka

Blendi Fevziu: Këtu nuk ke shumë të admnistratës publike, janë zgjedhur me vullnet politik…

Plarent Ndreca: Unë po them ça thotë ligji, de jure është emërimi. E dyta, mban përgjegjësi politike titullari kur vartësit kryejnë veprime në funksion të produktit për të cilin ata janë në detyrë, apo nëse kryejnë vepra penale në ekzekutimin e produktit të tyre, sigurisht që mban përgjegjësi morale dhe politike. Por nëse dikush, se mund të kryesh dhe një vrasje, mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale e cila nuk zgjidhet me produktin me të cilin lidhet titullari.

Blendi Fevziu: Një polic vrau në rrugë një adoleshent dhe ministri i Brendshëm dha dorëheqjen.

Plarent Ndreca: Ky është një standard në fund të ditës edhe personal. Si e vlerëson gjestin, barrën e asaj që ka ndodhur në raport me detyrën tënde./tvklan.al