Ndonëse ka mbetur edhe një ditë për t’u marrë vesh partitë opozitare duket të mos kenë përafruar qëndrimet për formën e shkuarjes në zgjedhje.

Partia Demokratike thotë se kërkesa e kësaj partie për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit është më e mundshme për shkak se nuk i kanë numrat për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Sekretarja e partisë Vlora Çitaku thotë se s’mund ta imponojnë dorëheqjen e Albin Kurtit.

AAK-ja, e cila insiston në dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit në letrën që i ka kthyer kreut të PDK-së, Memli Krasniqi konsideron se e vetmja rrugëdalje është një platformë e përbashkët për qeverisje pa Kurtin. 

“Shpreha qartë se rrugëdalja e vetme nga kriza në vend, është një platformë e përbashkët për qeverisje, pa Kurtin. Kjo sepse Kurti dhe qeveria e tij, janë fajtore për gjendjen e krijuar, e në këtë kontekst, Aleanca nuk lëviz nga qëndrimi që kjo Qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me shkarkim, e jo të amnistohet me vet-shpërndarje të Kuvendit”, tha Haradinaj.

Dorëheqjen apo shkarkimin e Kurtit po e kërkon edhe Lidhja Demokratike, e cila nuk po pajtohet me shpërndarje të Kuvendit.

Sonte pritet të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ku në njoftimin për media nuk bëhen të ditura pikat diskutimit, por vetëm se do të jetë e hapur për media vetëm në fillim të takimit ku do të mbaj një fjalim kryetari i partisë Lumir Abdixhiku.

Tv Klan