Partia Demokratike në SHBA ka nisur të mendojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit kanë nxjerrë në pah emra të rinj që mund të garojnë për Shtëpinë e Bardhë.

Senatori i Georgias, Jon Ossoff, është aktualisht emri që kryeson listën e kandidatëve të mundshëm për nominimin demokrat, i ndjekur nga kongresmenia Alexandria Ocasio-Cortez dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neusom. Fitorja e Ossoff në zgjedhjet e mesmandatit, ku siguroi një tjetër mandat gjashtëvjeçar në Senat, e ka kthyer atë në një nga figurat më të komentuara të kampit demokrat. Sipas tregjeve të parashikimit, 39-vjeçari shihet si favoriti kryesor për të përfaqësuar demokratët në garën presidenciale të ardhshme.

Ossoff ka arritur të ruajë mbështetjen e një koalicioni të gjerë votuesish në Georgia, një shtet jugor që historikisht nuk ka qenë bastion i demokratëve. Ai ka fituar mbështetjen e votuesve afroamerikanë dhe është dalluar për qëndrimet e tij kundër Donald Trump, korrupsionit dhe ndikimit të korporatave në politikë. Edhe pse konsiderohet një figurë më institucionale se disa prej emrave të tjerë të së majtës demokrate, Ossoff ka arritur të përçojë mesazhe populiste dhe të fitojë mbështetje përmes kritikave ndaj elitave ekonomike.

Një tjetër emër që po fiton vëmendje është 37-vjeçari James Talarico, i cili arriti një fitore të rëndësishme në Teksas, duke thyer kontrollin republikan në këtë shtet. Mesazhi i tij që ka të bëjë me çështje të mprehta ekonomike dhe përdorimi i besimit fetar në komunikimin politik mund të shërbejnë si model për demokratët në zgjedhjet e ardhshme.

Në garën e mundshme për nominimin demokrat përmenden gjithashtu Alexandria Ocasio-Cortez dhe Gavin Neusom, ndërsa në listë janë edhe guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, ai i Kentakit, Andy Beshear, si dhe ish-shefi i stafit të Barack Obamës, Rahm Emanuel. Ndërkohë, ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris vijon të shfaqet si një nga emrat më të mundshëm në disa sondazhe, por tregjet e parashikimit i japin shumë më pak gjasa për të fituar nominimin.

Neusom, nga ana tjetër, përballet me kritika se është një politikan tepër i përqendruar te imazhi dhe komunikimi, ndërsa lidhjet e tij me kompanitë e mëdha të Silicon Valley mund të krijojnë rezerva brenda krahut progresist të partisë. Në Kaliforni, ndërkohë, propozimi për vendosjen e një takse ndaj miliarderëve po përballet me kundërshtim në votime.

Një faktor tjetër që mund të ndikojë në drejtimin e demokratëve është rritja e ndikimit të krahut progresist, i frymëzuar edhe nga fitorja politike e Zohran Mamdanit në Nju Jork. Megjithëse Mamdani nuk mund të kandidojë për president për shkak se ka lindur jashtë SHBA-ve, ndikimi i tij politik dhe mbështetja për disa kandidatë të tjerë mund të luajnë rol në zgjedhjet e brendshme të partisë.

Sukseset e figurave progresiste në disa shtete kanë treguar se mesazhet kundër pabarazisë ekonomike, përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe kufizimit të ndikimit të korporatave po gjejnë mbështetje, edhe në zona ku demokratët kanë pasur vështirësi të fitojnë. Kështu, pas zgjedhjeve të mesmandatit, debati brenda Partisë Demokratike nuk lidhet më vetëm me emrin që mund të mposhtë republikanët në vitin 2028, por edhe me drejtimin politik që duhet të marrë partia në garën për Shtëpinë e Bardhë.

/tvklan.al