13 shtator 2026- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar sërish mbi çështjen e pagave të magjistratëve, një çështje kjo, e cila ka dominuar debatin publik në dy javët e fundit.

Ai ka publikuar një reagim të një gjyqtari, ndërsa shprehet i habitur për mënyrë se si ai e interpreton pavarësinë e gjyqësorit dhe raportin e këtij pushteti me financat publike.

“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar, shkruan Rama, ndërsa shtron pyetjen “A mund të flasë kështu një gjyqtar?”

Deklarata, të cilës kryeministri nuk i ka bërë publik identitetin e gjyqtarit, lidhet me pretendimin se sistemi gjyqësor nuk ka akses të plotë në fondet e veta.

“Ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë”, është shprehur gjyqtari, sipas Ramës.

Prej datës 3 shtator, pagat e Magjistratëve u bllokuan në Thesarin e Shtetit, pasi Ministria e Financave nuk pranoi formulën e re të pagave të tyre, të përcaktuar nga KLGJ dhe KLP, vendim ky, i cili duhet të votohet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Qeveria i konsideron vendimmarrjet e këshillave si marrje të kompetencave të pushteit legjislativ dhe ekzekutiv, duke thënë se kjo çështje do të zgjidhet vetëm në parlament.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka publikuar shifra, duke thënë se gjyqtarët kërkojnë paga, që janë shumë larg realitetit shqiptar.