Prillin e kaluar, dy peticione që i kërkonin qeverisë laburiste të Keir Starmer të ndërpriste çdo marrëdhënie me kompaninë e analizës së të dhënave Palantir Technologies mbërritën në “Whitehall”, selia e shumicës së ministrive të qeverisë britanike. Peticionet mblodhën mbi 200 mijë firma.
Njëri prej dokumenteve i drejtohej drejtpërdrejt Wes Streeting, ministrit të Shëndetësisë, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të një marrëveshjeje prej 330 milionë paundësh (afërsisht 380 milionë euro) për menaxhimin e të dhënave shëndetësore të miliona pacientëve britanikë, të nënshkruar mes kompanisë amerikane dhe NHS, sistemit kombëtar shëndetësor britanik.
Për muaj të tërë, slogani “No Palantir in our NHS” ishte një nga problemet më të ndërlikuara për qeverinë Starmer.
Sot, e ardhmja politike e kryeministrit duket më e pasigurt, sidomos pas dorëheqjes së vetë Streeting, një prej kritikëve më të fortë të brendshëm ndaj Starmer dhe i konsideruar nga shumë si një pasardhës i mundshëm i kryeministrit.
Pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale dhe krizës së vazhdueshme të popullaritetit, një tjetër zhvillim lidhur me marrëveshjen kontroverse me Palantir po e rëndon më tej situatën. Sipas një raportimi paraprak të Financial Times, NHS England, dega angleze e sistemit shëndetësor, i ka dhënë Palantir dhe kontraktorëve të tjerë të jashtëm “akses të pakufizuar” në të dhënat e pacientëve të ruajtura në National Data Integration Tenant (NDIT), elementi kyç i Federated Data Platform (FDP), databaza kombëtare që marrëveshja me kompaninë e themeluar nga Peter Thiel synonte ta modernizonte.
Ky është gjithashtu sistemi ku të dhënat klinike të qytetarëve britanikë ruhen para se të anonimizohen dhe të menaxhohen sipas rregullave të privatësisë.
Brenda pak orësh reaguan fillimisht ish-kryeministri laburist Jeremy Corbyn, kritik i ashpër i Starmer, dhe më pas Amnesty International UK, duke dënuar atë që e quajtën “një kërcënim serioz ndaj të drejtës sonë për privatësi”.
Si dyshohet se Palantir anashkaloi ligjet e privatësisë
NDIT është një platformë digjitale që shërben si porta hyrëse për procesin e modernizimit të menaxhimit të të dhënave shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo është vendi ku mblidhen fillimisht të dhënat klinike përpara se të pseudonimizohen dhe të përdoren nga sistemet analitike për raporte dhe monitorim të shërbimeve shëndetësore.
Ajo që ngriti shqetësime ishte një ndryshim i papritur në arkitekturën fillestare të projektit. Fillimisht, ndarja mes të dhënave identifikuese të pacientëve dhe të dhënave të pseudonimizuara konsiderohej themelore.
Me fjalë të thjeshta, Palantir dhe kompanitë e tjera që punonin në FDP nuk duhej të kishin akses në identitetin e pacientëve, por vetëm në informacionin klinik anonim.
Megjithatë, “aksesi i pakufizuar” që NHS thuhet se i ka dhënë tashmë Palantir dhe kontraktorëve të saj sugjeron një zhvillim të papritur.
Sipas shumë kritikëve, kjo mund të përbëjë shkelje të Data Protection Act 2018, ligji britanik për mbrojtjen e të dhënave.
Deputeti liberal-demokrat Martin Wrigley ngriti gjithashtu shqetësimin për një “varësi teknologjike” të NHS ndaj Palantir.
Sipas tij, kontrata aktuale funksionon si një shërbim abonimi që nuk lë asnjë produkt konkret pas përfundimit të marrëveshjes: “asnjë softuer, asnjë përmirësim dhe asnjë pronësi intelektuale, pavarësisht një shpenzimi mbi 330 milionë paund”.
Nga ana tjetër, Ministria britanike e Shëndetësisë deklaroi se të gjitha akseset në të dhëna kontrollohen përmes sistemeve të sigurisë dhe autorizimeve formale, duke theksuar se kontrolli mbi të dhënat mbetet publik dhe në përputhje me ligjin.
Megjithatë, shumë zëra po kërkojnë transparencë më të madhe për të kuptuar se në duart e kujt do të përfundojnë të dhënat e qytetarëve britanikë.
Marrëveshja me NHS që kundërshtohet edhe nga mjekët
Raportimi i Financial Times i shton një element të rëndësishëm një debati që vazhdon prej vitesh.
Në vitin 2023, qeveria konservatore e Rishi Sunak i dha Palantir një kontratë prej mbi 180 milionë paundësh, me kostot që sot llogariten deri në 330 milionë për zhvillimin e FDP-së, platformës që synonte të revolucionarizonte menaxhimin e të dhënave të NHS England.
Platforma është konceptuar për të integruar dhe bërë të ndërveprueshme të dhënat klinike nga të gjitha strukturat shëndetësore në vend.
Para këtij projekti, sistemi britanik ishte i fragmentuar dhe i bazuar në struktura të ndara spitalore, qendra diagnostike, mjekë familjeje dhe lista pritjeje.
Problemet e këtij sistemi u bënë të dukshme gjatë pandemisë Covid-19, kur ndarja dhe menaxhimi i të dhënave mes institucioneve të ndryshme rezultoi i ngadaltë dhe joefikas.
Në atë periudhë, Palantir filloi bashkëpunimin me NHS për koordinimin e logjistikës dhe kapaciteteve spitalore.
Më pas lindi ideja e FDP-së, e cila synon të parashikojë listat e pritjes, të shpërndajë burimet shëndetësore, të koordinojë trajtimet onkologjike dhe, në të ardhmen, të krijojë një lloj regjistri kombëtar shëndetësor për çdo pacient.
Si qeveria e Rishi Sunak ashtu edhe ajo e Starmer e kanë mbështetur projektin.
Së fundmi, Streeting është distancuar nga qëndrimet politike pro-Trump dhe pro-Izrael të themeluesit të Palantir, Peter Thiel, dhe CEO-së Alex Karp, të cilat i cilësoi “të neveritshme”, por ai vazhdoi të mbrojë FDP-në si “thelbësore për të ardhmen e NHS”.
Megjithatë, shumë profesionistë të sektorit shëndetësor kanë shprehur kundërshti.
British Medical Journal raportoi polemika të shumta në spitale lidhur me udhëzimet që u kërkonin strukturave të NHS të përdornin produktet e Palantir.
Ndërkohë, organizata Medact ngriti shqetësime për natyrën pronësore të algoritmeve të Palantir dhe për rrezikun që kjo mund të krijojë ndaj sovranitetit të të dhënave.
Kontroversat e shumta rreth Palantir
Palantir është kthyer në një nga rastet më të diskutuara që tregon lidhjen mes Big Tech, sigurisë dhe pushtetit politik.
Në SHBA, kompania është kritikuar për bashkëpunimin me ICE, agjencinë federale të emigracionit, e akuzuar për praktika represive ndaj migrantëve.
Gjithashtu, nuk është sekret afërsia ideologjike dhe politike mes Donald Trump dhe Peter Thiel, i cili ka mbështetur financiarisht iniciativa të ndryshme të lidhura me administratën amerikane.
Mbështetja e Thiel ndaj Izraelit gjatë luftës në Gaza ka sjellë gjithashtu akuza për “bashkëpunim teknologjik” në operacionet ushtarake në territoret palestineze.
Ndër vite, Palantir ka ndërtuar marrëdhënie të forta me qeveri britanike të çdo ngjyre politike, nga Boris Johnson te Rishi Sunak dhe Keir Starmer, duke forcuar praninë e saj në infrastrukturat publike digjitale.
Sipas hetimeve mediatike dhe analizave të databazave të prokurimeve publike, kompania ka të paktën 34 kontrata me shtetin britanik në fusha si shëndetësia, mbrojtja, policia dhe administrata lokale, me vlerë qindra milionë paund.
Përveç kontratës së madhe me NHS, Palantir ka marrëveshje edhe me Ministrinë e Mbrojtjes dhe projekte pilot me forcat policore britanike, përfshirë Londrën.
Prania e saj ka shkaktuar protesta publike dhe kundërshtime akademike. Në Cambridge, studentë dhe aktivistë protestuan kundër pranisë së Peter Thiel gjatë një konference të tij mbi atë që ai e quante “antikrishti teknologjik”, ide që më vonë u përhapën edhe në Itali.
/tvklan.al












Botërori 2026 
