Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi në selinë e NATO-s në Bruksel se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore financiare dhe ushtarake të aleancës.

Sipas tij, disa vende anëtare nuk përmbushin angazhimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes.

“Për një kohë shumë të gjatë, NATO ka qenë një tigër prej letre dhe një rrugë me një drejtim. Kjo merr fund tani. Kjo është arsyeja pse Samiti i Hagës dhe angazhimet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes janë kaq të rëndësishme. Ne po e transformojmë NATO-n në një aleancë të vërtetë ushtarake, të fokusuar te fuqia reale dhe parandalimi i besueshëm”, tha Hegseth.

Gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Hegseth njoftoi nisjen e një rishikimi të ri të dislokimeve ushtarake amerikane në Evropë, proces që pritet të zgjasë deri në gjashtë muaj.

Hegseth theksoi se Evropa nuk duhet të mbetet e varur nga SHBA për mbrojtjen e saj dhe se shumë aleatë ende nuk e kanë kuptuar nevojën për të rritur kontributin e tyre në sigurinë kolektive.

“Shumë aleatë ende nuk e kanë kuptuar domosdoshmërinë historike që Presidenti Trump ua ka bërë të qartë atyre dhe vetë NATO-s, për të rindërtuar një aleancë ushtarake të fuqishme dhe relevante. Ai u dha aleatëve një provë: të mbështesnin Amerikën kur ne kërkuam ndihmën e tyre. Dhe shumë prej tyre dështuan”, shtoi Hegseth.

Shefi i Pentagonit foli për konceptin e një “NATO 3.0”, që sipas tij nënkupton rikthimin e Aleancës te misioni i saj bazë si një organizatë e fortë ushtarake, e aftë të garantojë mbrojtjen e Evropës dhe të përballet me kërcënimet e sigurisë.

“NATO 3.0 është pranimi se pas periudhës së pas Luftës së Ftohtë, Aleanca duhet të rikthehet në rrënjët e saj si një organizatë e fortë ushtarake, me kapacitete reale për të garantuar parandalimin dhe mbrojtjen e Evropës, duke marrë vetë drejtimin për mbrojtjen konvencionale të kontinentit”, përfundoi Hegseth.

Deklaratat e Hegseth vijnë në prag të Samitit të NATO-s në Hagë, ku pritet që çështja e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare të jetë në fokus të diskutimeve.

Klan News

/tvklan.al