Gjykata e Posaçme ka rrëzuar këtë të hënë, më 16 nëntor, kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burg për fshehje pasurie. Pas shqyrtimit të çështjes, trupa gjykuese nuk ka pranuar pretendimin e tij për përfundimin e afatit ligjor të ekzekutimit të dënimit.
Llalla i ishte drejtuar GJKKO-së me kërkesën që vendimi i formës së prerë, i dhënë në vitin 2021, të konsiderohej i parashkruar. Argumenti i ish-kryeprokurorit ishte se kishin kaluar afro pesë vite nga dhënia e vendimit, pa e vuajtur dënimin me burg. Megjithatë, gjykata nuk e ka pranuar këtë kërkesë, duke mos i dhënë të drejtë në pretendimin e tij, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Adriatik Llalla u dënua në pranverën e vitit 2021 me dy vite burg, ndërsa vendimi u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 22 shtator të po atij viti. Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode. Krahas dënimit me burg, gjykata vendosi konfiskimin e disa pasurive, si dhe i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike për pesë vite.
Pas largimit nga Shqipëria, ish-prokurori i Përgjithshëm kërkoi azil politik në Itali, ku u arrestua në dhjetor të vitit 2021. Ai u lirua më pas për shkak të gjendjes shëndetësore, me kushtin që të qëndronte nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane.
/tvklan.al












Botërori 2026 
