Është shtyrë seanca në GJKKO për kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla sot më 5 nëntor, që kërkon parashkrimin e dënimit me dy vite burg për fshehje pasurie.

Seanca e radhës për Llallën është caktuar të mbahet më 16 nëntor, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Gjatë seancës së sotme, prokurorja e posaçme kërkoi kohë të njihet me parashtrimet e mbrojtjes së ish-kryeprokurorit. Për këtë arsye, gjykata vendosi të shtyjë shqyrtimin e kërkesës.

Llalla ka bërë kërkesë, që dënimi i dhënë ndaj tij në vitin 2021, i formës së prerë, të cilësohet i parashkruar. Ish-kryeprokurori shprehet se kanë kaluar afro 5 vite nga vendimi, pa vuajtur dënimin me dy vite heqje lirie.

Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla nuk ishte në seancë, teksa u përfaqësua nga avokati. Llalla është në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Gjatë kohës që zhvilloheshin hetime ndaj tij, Llalla u largua në drejtim në Italisë, ku u arrestua dhe u la nën mbikëqyrje policore, ndërsa nuk iu dorëzua autoriteteve shqiptare. Procesi penal ndaj tij vazhdoi në Shqipëri.

Adriatik Llalla u dënua nga Apeli i GJKKO-së në shtator 2021. Ai akuzohet për fshehje të pasurisë në të paktën 3 episode. Hetimi për Llalën ka nisur që në vitin 2017 nga Prokuroria e Durrësit dhe më pas dosja u transferua në Tiranë.