Parlamenti miratoi në parim ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-41.

Marrëveshja mori 66 votat e mazhorancës, por dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet votuan kundër, nën argumentimin e shtyrjes së votimit derisa Athina të rishikojë çështjen çame.

Shpëtim Idrizi: “Vendimi i partisë sonë është për ta shtyrë sjelljen e kësaj marrëveshje në Parlament deri atëherë kur Greqia të plotësojë këto kërkesa minimale të rishikimit të historisë saj që ka brenda kapitullin tragjik të popullsisë çame. Deri atëherë kur shteti grek të pranojë ngritjen e varrezave për ata mijëra shqiptar të Çamërisë që dergjen atje pa një gur te koka.”

Kjo marrëveshje u nënshkrua me 19 Nëntor të vitit 2008 në Tiranë. Ajo synon ngritjen e dy varrezave në Gjirokastër dhe Këlcyrë të Përmetit.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces do të luajë kisha ortodokse, që do t’i administrojë dy varrezat, ndërsa Greqia do të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike e infrastrukturën logjistike.

Ekzaminimet e eshtrave të ushtarëve do të bëhen nga një grup ekspertësh, që do të ketë në përbërje të tij një numër të barabartë anëtarësh nga pala greke dhe ajo shqiptare./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro